Tentoi vetëvrasjen, rëndë në spital, por mjekët e shpëtojnë nga vdekja
KORÇË - Vetëhelmohet një 15-vjeçare, që fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut në spital. Burime nga Policia e Korçës thanë për gazetën “Albania” se dje rreth orës 17:00 ka shkuar në Spitalin rajonal Korçë në gjendje të rëndë K. D., 15 vjeçe, banuese në fshatin Pojan. Nga deklarimet e personave të afërt, që mendohet se kanë dijeni për ngjarjen, është arritur në përfundimin se adoleshentja, në kushtet e depresionit, ka pirë një sasi lënde fosfor-organike që shërben për vrasjen e insekteve. Aktualisht 15-vjeçarja ndodhet në spital jashtë rreziku për jetën. Policia tha se janë kryer veprimet procedurale për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes të mbetur në tentativë”. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Korçës për hetime të tjera.
Elbasan, humb jetën pas aksidentit automobilistik i moshuari
ELBASAN - Një 70-vjeçar humbi jetën paraditen e sotme si pasojë e një aksidenti automobilistik në aksin rrugor “Peqin-Elbasan”, në vendin e quajtur Papër, ndërkohë që policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit. “Ali Myrqelepi, 70 vjeç, u aksidentua për vdekje rreth orës 11:40 nga një automjet me targa greke ZKH 4162, që drejtohej nga Jani Balla, 50 vjeç”, - thanë për gazetën burime zyrtare të Policisë së Elbasanit. Sipas policisë, 50-vjeçari Balla u ndalua nga policia dhe ndodhet në ambientet e Komisariatit të Policisë.
11 Dhjetor 2008