E Diel, 1 Nëntor 2026

Albenc Ago kërkon rihapjen e procesit gjyqësor

Laureta Rryçi

Tiranë - Albenc Ago, i dënuar për vrasjen e Eva Vishës, kërkon që të ribëhet procesi gjyqësor. Ago, i ekstraduar vetëm pak ditë më parë nga Italia, ka ngritur pretendimin se dënimi me 20 vite burg është dhënë pa qenë ai i pranishëm. I dënuari kërkon rihapjen e procesit për të dhënë versionin e tij dhe për të siguruar mbrojtjen që i takon duke pretenduar se ka probleme në procesin që është zhvilluar në mungesë të tij. Padia është depozituar në Gjykatën e Tiranës dhe shorti ka përcaktuar gjyqtarin Bledar Abdullai për ta shqyrtuar atë. Ago u ekstradua nga Milano pasi prej kohësh ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjykata e Tiranës në dhjetor 2005 e ka deklaruar fajtor për veprat penale “vrasje me dashje” dhe “mbajtje pa leje e armëve luftarake”, e duke dënuar me 20 vjet heqje lirie. Vendimi i kësaj gjykate ka marrë formë të prerë më 11 dhjetor 2005. Në vendimin e gjykatës thuhet se shtetasi Albenc Ago ka qëlluar me armë zjarri duke i shkaktuar vdekjen shtetases Eva Vishaj (Lila) më 23 maj të vitit 1997, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në kilometrin e 29-të. Ndalimi dhe më pas ekstradimi i tij u mundësua falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën.
Ngjarja
Eva Vishaj ka ndërruar jetë në duart e dy personave nga Pogradeci ndërsa ata po ktheheshin nga Tirana për në shtëpitë e tyre. Dëshmitë e tyre kanë qenë pikërisht ato që kanë mundur të hidhnin dritë mbi këtë ngjarje. Dy udhëtarët e kanë gjetur atë në gjendje tejet të rënduar, sa nuk mundi të thotë as fjalën e fundit. Një plumb në kokë i kishte marrë edhe shpresën e fundit të jetës. Ishte 23 maji i vitit 1997 kur dy udhëtarët, para se të futeshin në kilometrin 29, dëgjuam një xhirim gomash dhe zhurmën e një makine që iku me shpejtësi në drejtim të Elbasanit. Duke ecur në krahun e djathtë të rrugës dalluan një femër që rrënkonte. Ata dolën me shpejtësi nga vetura dhe iu afruan për ndihmë. Nuk zgjati shumë dhe në më pak se një minutë gruaja ndërroi jetë. Ky ishte momenti i fundit i jetës së saj. Ishte goditur me një plumb në kokë dhe kishte të dëmtuar syrin e djathtë. Autori i krimit, pasi e kishte vrarë, e kishte hequr zvarrë për disa metra për ta hedhur te gremina, në pjesën e poshtme të rrugës. Mesa duket, ai nuk ka mundur ta realizojë deri në fund planin e tij, pasi dëgjoi zhurmën e makinës që po vinte nga drejtimi i Tiranës dhe e la viktimën aty buzë rrugës, pa e hedhur dot në greminë. Kjo dukej pasi gjatë tërheqjes pjesa e bluzës ishte e ngritur lart. Dukej që mbi të, përveç vrasjes, ishte ushtruar edhe dhunë. Dukej që ajo nuk i ishte bindur urdhrit të tij.
Hetimi
Kur dy dëshmitarët e vendit të ngjarjes e kishin gjetur gruan thuajse në sekondat e saj të fundit, ata panë të vinin nga Elbasani në drejtim të Tiranës disa makina të forcave speciale. Ata qëndruan aty në vendngjarje duke rrethuar vendin. U njoftua policia, e cila më pas ka kryer ekspertizën e kufomës. Vetëm të nesërmen gruaja është identifikuar si nëna e këngëtares Elsa Lila. Në janar të vitit 2005, pas hetimeve intensive, Prokuroria e Tiranës ka mundur të identifikojë autorët e implikuar në vrasjen e nënës së këngëtares së njohur.

Ishte në kërkim, policia e dërgon në dhomat e paraburgimit

TIRANË - Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Tiranë ndaloi të premten një person, i cili ishte shpallur në kërkim për “trafikim të mjeteve motorike”. Sipas njoftimit për shtyp të Policisë së Tiranës, ai është shtetasi Salvator Jaku, 47 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër. Në shkurt të 2008-s, Gjykata e Shkodrës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg", për veprën e mësipërme penale. Për kryerjen e veprimeve të mëtejshme, ai do t’i dërgohet Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, sipas njoftimit të policisë.

22 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›