E Shtunë, 31 Tetor 2026

Posta, zyrë emergjence në Vorë për shpërndarjen e fondeve

Banorët e prekur nga tragjedia do të tërheqin në këtë zyrë ndihmat financiare. Sigurimi i automjeteve tashmë mund të kryhet edhe në zyrat e Postës Shqiptare
Jonida Tashi
Banorët e prekur nga tragjedia e Gërdecit do të kenë mundësi që shumën e lekëve që do të akordojë për ta qeveria ta tërheqin në një zyrë emergjente postare në Vorë. Posta Shqiptare, për t’u ardhur sa më shumë në ndihmë këtyre banorëve, ka hapur në Vorë një zyrë emergjente postare. Ndihma e Postës Shqiptare për të prekurit nga tragjedia e Gërdecit nuk është mjaftuar vetëm me kontributin financiar të punonjësve dhe grandin e Drejtorisë së Përgjithshme të Postave. Burime nga Posta Shqiptare bënë të ditur se në qytetin e Vorës prej disa ditësh është hapur një zyrë emergjence, e cila do t’u vijë në ndihmë banorëve për shpërndarjen e parave që qeveria do të akordojë për të lënduarit e tragjedisë së 15 marsit. Prej disa ditësh, zyra postare, e cila është quajtur Zyra e Emergjencës, është në dispozicion me të gjithë infrastrukturën e nevojshme për t’i ardhur në ndihmë për shpërndarjen e çdo ndihme financiare, e cila do t’u jepet familjeve të fshatit Gërdec. Në momentin kur do të nisë lëvrimi i fondeve, punonjësit e zyrës postare në Vorë do të jenë në krye të detyrës gjithë kohën si dhe të shtunën dhe të dielën për të ndarë sa më shpejt shumat financiare për familjet e viktimave, si dhe të atyre që u janë dëmtuar shtëpitë, bizneset etj.
Sigurimi i automjeteve
Sigurimi i automjeteve tashmë mund të bëhet edhe në sportelet e Postës Shqiptare. Kjo është bërë e mundur pas marrëveshjes së lidhur mes Postës Shqiptare dhe kompanisë së sigurimeve INSIG, EUROSIG për policën e sigurimit të detyrueshëm të automjetit. Çdo qytetar i interesuar për ofrimin e këtij shërbimi mjafton të paraqitet pranë sporteleve të postës dhe mund të sigurojë policën e detyrueshme të sigurimit të makinës në një kohë të shkurtër. Ofrimi i këtij shërbimi, që mundësohet nga Posta Shqiptare, vjen natyrshëm falë infrastrukturës që ky institucion ka në tregun e shërbimeve. Ndërkohë, në çdo zyrë postare kryhet shërbimi i kartonit jeshil për qytetarët. Ky shërbim konsiston në marrjen e një sigurimi të vlefshëm për udhëtime jashtë shtetit dhe mund të kryhet në të gjitha zyrat postare.
Pikat doganore dhe kufitare
Posta Shqiptare është në shërbim të klientëve me 66 produktet e saj. Në përmbushje të objektivave të saj të strategjisë së zhvillimit në funksion të realizimit të misionit të saj, kompania ka shtrirë prezencën edhe në pikat doganore dhe kufitare në Tiranë dhe në të gjitha rrethet. Në këto zyra kryhen të gjitha llojet e shërbimeve që kryhen në çdo zyrë postare: shërbime postare, shërbime financiare, shërbime biznesi etj. Sipas Postës Shqiptare, avantazhi i këtyre zyrave dhe që lidhet drejtpërsëdrejti me shtrirjen gjeografike të tyre është se në këto zyra aktualisht mund të arkëtohen detyrimet doganore të të gjitha subjekteve, të cilët mund të paguajnë në këto zyra detyrimet e tyre doganore. Në këtë kuptim, zyra postare luan rolin e agjentit bankar.
Zyrat postare
Gjithashtu, këto zyra shumë shpejt do të plotësojnë nevojat e qytetarëve dhe të atyre që do të zgjedhin këto zyra për të përmbushur nevojat e tyre edhe me shërbimin e agjentit doganor për doganimin dhe zhdoganimin e mallrave, mund të presin kartonin jeshil apo siguracionin e automjetit të tyre si dhe policën kufitare. Me këtë gamë të gjerë shërbimesh që Posta Shqiptare ofron, synon më shumë lehtësira për qytetarët qofshin këto individë apo subjekte. Aktualisht, shtrirja gjeografike e këtyre zyrave është në Han të Hotit, në Qafë Morinë, Qafë Thanë, Kapshticë, Qafë Bllatë, Dogana Elbasan, Berat, Porti i Durrësit, Porti i Vlorës. Gjithashtu, Posta ka bërë të ditur se brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2008 do të mbulojë të gjitha pikat doganore dhe kufitare të vendit. Ndërkohë, tarifat e shërbimit si për agjentin doganor, agjentin bankar dhe shërbimet postare janë nga më konkurrueset në tregun aktual.

Posta Shqiptare, 10 mijë euro për viktimat e tragjedisë

Drejtoria e Postës Shqiptare ofroi në fillim të kësaj jave një grant prej 10 mijë eurosh për viktimat e tragjedisë së Gërdecit. Punonjësit e sistemit postar krijuan edhe “Fondin e solidaritetit” për këtë tragjedi, nismë kjo që ata shpresojnë të ndiqet edhe nga institucionet e tjera. Duke filluar që nga dita e hënë e kësaj jave, në të gjitha filialet dhe zyrat postare të Postës Shqiptare të 2150 punonjësit kanë filluar të japin ndihmesën e tyre për familjet e pastreha dhe për nevoja të tjera sociale. Përveç kontributit financiar të punonjësve, Posta Shqiptare ka akorduar edhe një grant prej 10 mijë eurosh për të lënduarit e tragjedisë së Gërdecit. Gjithashtu, Posta Shqiptare do t’u vijë në ndihmë edhe qytetarëve shqiptarë që do të duan të kontribuojnë financiarisht. Për këtë, aty ku nuk ka sistem bankar, ata do të kenë në dispozicion numrat e llogarisë bankare të vendosura nga qeveria shqiptare. Për të lënduarit e tragjedisë së Gërdecit, Posta Shqiptare ka marrë përsipër transferimin e kontributit të qytetarëve nga këto zona ku nuk ka banka, në numrat e llogarisë së Raiffeisen Bank. Gjithashtu, Posta Shqiptare u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të tjera, shtetërore ose jo, bizneseve të ndryshme, shoqatave e individëve që të solidarizohen me këtë nismë për të ndihmuar familjet e tragjedisë së Gërdecit, pasi në këto çaste ato kanë nevojë për ne më shumë se kurrë.

22 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›