E Shtunë, 31 Tetor 2026

Personat e dëmtuar nga tragjedia e Gërdecit do të futen në skemën e paaftësisë

Familjet në nevojë të tragjedisë së Gërdecit do të përfshihen në Skemën e Ndihmës Ekonomike dhe do të marrin përfitime sipas ligjit fill pas mbarimit të identifikimit të tyre. Kjo është bërë e ditur nga Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH). Sipas Zyrës së Shtypit të SHSSH-së, pas përcaktimit të numrit të saktë të familjeve, (që ende nuk është bërë i ditur), pritet marrja e fondeve dhe delegimi i tyre pranë Bashkisë së Vorës, e cila do të kryejë shpërndarjen e tyre në përputhje me nevojat. Gjithashtu, pasi të kryhet identifikimi i personave, të cilët u aksidentuan gjatë kësaj ngjarjeje, do të bëhet klasifikimi sipas kritereve të aftësisë, me gjymtyrë të dëmtuara, të verbër, etj, do të vijohet me komisionimin e tyre dhe së fundmi me përfshirjen në skemën e paaftësisë, ku do të përfitojnë pension invaliditeti. Deri tani, sipas SHSSH-së nuk ka të dhëna për fëmijë të mbetur jetimë apo të moshuar të vetmuar. Nëse do të rezultojnë të tillë, SHSSH-ja do të vërë në dispozicion institucionet e përkujdesit për të sistemuar këtë kategori personash. Pritet që brenda muajit prill të çelen qendrat ditore të përkujdesit social, funksionimi i të cilave do të mundësohet nga SHSSH-ja në bashkëpunim me Bashkinë e Vorës dhe OJF-të.

22 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›