E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenden 8 predha të vjetra pranë shkollës

PEQIN - Në afërsi të shkollës 9-vjeçare të fshatit Karinë në rrethin e Peqinit janë gjetur 8 predha luftarake të vjetra, të cilat rrezikonin jetën e nxënësve. Lajmi bëhet i ditur nga burimet policore, sipas të cilëve menjëherë sapo është përcaktuar vendndodhja, është bërë largimi i tyre nga njësitë e specializuara. Sipas burimeve policore, disa banorë të fshatit Karinë, teksa punonin tokën në afërsi të një lugine, rreth 300 metra larg shkollës 9-vjeçare, kanë gjetur disa predha luftarake të vjetra.

Dëbora bllokon lëvizjen e mjeteve drejt Kosovës

KUKËS - Reshje të dendura bore në verilindje të vendit, duke krijuar sërish probleme në
qarkullimin e mjeteve, por dhe izolimin e dhjetëra fshatrave. Ato kanë filluar që prej pasdites së enjte duke shkuar deri në një trashësi prej 50 cm. Burimet zyrtare raportojnë për vështirësi të shumta të krijuara në qarkullimin e mjeteve, sidomos në Qafë Mali. Në këtë vend kanë mbetur të bllokuar për disa orë 3 autobusë me pasagjerë kosovarë. Hapja e rrugës u bë e mundur pas ndërhyrjes së policisë dhe Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve.

Vetëhelmimi, vdes 18-vjeçarja nga Kavaja

KAVAJË - Një 18-vjeçare nga Kavaja i dha fund jetës të enjten duke u vetëhelmuar me fostoksinë. “Shtetasja Mirsie B., 18 vjeçe, banuese në fshatin Bogo, Kavajë, ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak", - bëri të ditur Policia e Tiranës. Sipas saj, nga deklarimet e të afërmve dhe personelit mjekësor, dyshohet se shkak i vdekjes së 18-vjeçares të jetë bërë konsumi i lëndës helmuese fostoksinë. Shtetasja Mirsie B. u transportua nga banesa e saj në Kavajë në Spitalin Ushtarak, por me gjithë ndihmën mjekësore ajo nuk mundi të mbijetojë. Viktima ndodhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim. Ndërkohë, aktet procedurale i kaluan Prokurorisë, sipas Policisë.

Prishja e bunkerit nxjerr arsenalin ushtarak

FIER – Disa granata dore, plumba për armë të lehta si dhe armatim për mitraloza janë gjetur të fshehura në një bunker pranë disa pallateve në qytetin e Fierit. Aratimi ka dalë në dritë në momentin kur po gërmohej nga një firmë ndërtimi për të hequr masivin e betonit. Disa nga personat që mbledhin hekurishte kanë hasur të parët në municionet e fshehura në bunker. Dyshohet se ato janë fshehur që në kohën e trazirave në vitin 1997. Ekspertët e Xhenios kanë marrë granatat, por ende në bunker ndodhen edhe disa plumba të kalibrit 7.56 dhe 12.7, për të cilat po punohet që të dalin pasi përbëjnë rrezik për jetën e banorëve.

Zjarrvënia, digjet për herë të tretë tregu industrial

LEZHË – Digjet për herë të tretë tregu industrial i Lezhës, duke përforcuar pistën e policisë se flitet për një veprim të qëllimshëm nga persona ende të paidentifikuar. Ka qenë ora 6:45 e mëngjesit të djeshëm, kur flakët fillimisht kanë rënë në një dyqan veshmbathjesh me pronësi shtetasin Haki Përlica. Më pas flakët janë përhapur dhe në dy dyqane të tjera të tregut industrial. Flakët fatmirësisht nuk kanë dëmtuar dyqane të tjera, kjo pasi ato janë izoluar dhe shuar në një kohë rekord nga forcat e shërbimit zjarrfikës, të angazhuara në aksion sapo kanë marrë njoftimin. Burime të efektivave policore në vendngjarje janë shprehur se mendohet që zjarri të ketë qenë i qëllimshëm. Në këtë pikë, dyshimet e para janë për një zjarr të vënë për çështje konkurrence mes tregtarëve të qytetit, ndërsa ende po hetohet për të zbardhur të gjithë ngjarjen. Pak muaj më parë 50 dyqane në tregun industrial të Lezhës u shkrumbuan nga flakët e një zjarri, i cilësuar edhe atë kohë i qëllimshëm. Dëmi i shkaktuar kaloi shifrën e shifrën e 5 milionë lekëve. Djegia për herë të tretë e tregut ka ngjallur dyshime serioze për një akt të qëllimshëm.

22 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›