Dëshmitë, rrëzohet pretendimi i policisë për krimin e Kozarës
Dëshmon ish-shefi i Krimeve, Bizhga: “Luan Mara pranoi vrasjen e familjes së vëllait” . Ish-avokati dhe avokati rrëzojnë pretendimet: “Deklarata u mor nën efektin e dhunës”
BERAT - Kur kanë mbetur edhe dy seanca për përfundimin e procesit ndaj “krimit të Kozarës”, i dyshuari për vrasjen e vëllait të tij me 3 anëtarët e tjerë të familjes po refuzon autorësinë e ngjarjes. Në procesin e djeshëm janë marrë dëshmitë e shefit të sektorit të Krimeve të Rënda, Sokol Bizhga, ekspertit mjeko-ligjor Fatos Sinani dhe ish-avokati mbrojtës të Luan Marës. Bizhga ka deklaruar në sallën e gjyqit se autori i dyshuar ka pranuar krimin sapo është arrestuar dhe ka firmosur deklaratën. Por, ish–avokati Qemal Braho dhe avokati aktual Dilaver Bengasi kanë akuzuar për policinë për marrjen e deklaratës nën efektin e dhunës. Hedhja poshtë e disa provave të paraqitura nga policia, si analiza e AND-së së foshnjës që priste të lindte kunata e tij para vrasjes dhe ekspertiza e një atleteje të gjetur në vendngjarje, e kanë çuar çështjen në një shteg tjetër, duke mos pasur prova për Luan Marën.
Deklarata
Shefi i sektorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policë së Qarkut Berat, Sokol Bizhga, ka deklaruar para trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarët Nazmi Troka kryesues, Bernina Kondi dhe Agron Vavla, dhe përfaqësuesit të organit të akuzës Artian Bejo se Luan Mara ka pohuar me gojën e tij para ekspertëve të policisë se ka vrarë vëllain e tij, Shpëtimin, bashkëshorten Florien, e cila ishte shtatzënë dhe nipin 2-vjeçar. Ai ka treguar se janë respektuar të gjitha rregullat e shoqërimit dhe të marrjes në pyetje konform ligjit. Bizhga tha se nuk është ushtruar dhunë ndaj personit të dyshuar për këtë krim. Ai sqaroi se gjatë marrjes në pyetje të tij ka qenë i pranishëm edhe ish-avokati Qemal Braho, i cili në seancën e djeshme rrëzoi pretendimin e shefit të krimeve. Sokol Bizhga ka dëshmuar në gjyq se të gjitha dokumentet përkatës janë në dosje dhe se ka mohuar faktin se ditën e krimit është shfaqur në banesën e Shpëtimit shtetasi Armando Mara, i cili ka qenë i armatosur me një pistoletë.
Kundërshtimi
Ish-avokati i Luan Marës, Qemal Braho, i cili aktualisht është në detyrën e përgjegjësit të dhomave të paraburgimit në policinë e Beratit, ka rrëzuar të gjithë pretendimet e zyrtarit të policisë. “Edhe në seancën e parë të vlerësimit të masës së arrestit kam kërkuar të njëjtën gjë që mos të merret si provë materiale dokumenti ku Mara pranon akuzën pasi kjo nuk është bërë në prezencën e mbrojtjes”, - tha Braho. Ai vijoi: “Unë si avokat mbrojtës nuk jam lejuar nga policia që të marr pjesë në eksperimentin e riprodhimit të ngjarjes”. Ish-avokati Braho duke iu referuar dëshmive të ish-klientit të tij ka thënë gjithashtu se Mara është mbajtur pesë ditë përpara arrestit në polici dhe se ndaj tij është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike gjë e cila vërtetohet edhe nga ekspertiza mjeko-ligjore. Edhe përfaqësuesi i mjekësisë ligjore, Fatos Sinani tha se në trupin e Luan Marës ka vërejtur një çarje në fytyrë dhe goditje në shputën e këmbës, të cilat, sipas tij, janë shkaktuar nga mjete mprehëse. Avokati Dilaver Bengasi deklaroi se për klientin e tij nuk ka asnjë element të provës që ta nxjerrë atë vrasës. “Nuk ka kapje në flagrancë, dëshmitar okular dhe elementë të provës materiale, të cilat që janë elementët bazë të akuzës", - tha Bengasi. Sipas tij, "edhe pretendimi i së ndjerës Florie Mara, e cila thuhej se kishte ngelur shtatzënë me kunatin e vet, Luanin, në bazë të analizave të AND-së, rezultoi se ishte me bashkëshortin e vet, Shpëtimin. Po kështu, gjurma e atletes e gjetur në vendngjarje nuk ka rezultuar se nuk i përket Luan Marës, por një tjetër personi të cilin duhet ta gjej organi i hetimit”, - është shprehur avokati Bengasi.
Në seancën e djeshme ku kanë qenë të pranishëm edhe familjarët e viktimës, dëshmitë janë dhënë veçmas, pa praninë e njëri-tjetrit. Në seancën e parafundit do të jepen pamjet filmike të eksperimentit të riprodhimit të ngjarjes, që do të zhvillohet në datën 4 prill të këtij viti dhe më pas do të jepet vendimi nga gjyqtarët. Më 10 shkurt 2006 humbën jetën nga goditja me armë zjarri të llojit “Kallashnikov”, Shpëtim Mara, 30 vjeç, bashkëshortja e tij shtatzënë Floria, 25 vjeçe dhe djali i tyre 2-vjeçar, Artioli. Personi i dyshuar për këtë vrasje ishte Luan Mara, vëllai i Shpëtimit, i cili fillimisht pohoi autorësinë, por më pas e refuzoi. Kur janë mbushur dy vjet nga ngjarja, duket se procesi ka marrë një drejtim tjetër, duke vështirësuar shpalljen e fajtorit dhe ndëshkimin sipas ligjit.
22 Mars 2008