Kontrolli, bllokohen 7 pika të shitjes së bukës
VLORË - Policia Tatimore e Vlorës ka nisur një aksion për kontrollin e njësive të prodhimit dhe tregtimit të bukës në këtë qytet. Kryetari i degës së Tatim-Taksave, Genti Hamzaraj, tha se ky aksion ka si qëllim verifikimin e peshës së bukës, si dhe respektimin e klauzolave që parashikojnë prodhimin e saj. Sipas tij, deri tani tatimorët kanë ushtruar kontrolle në 46 njësi të prodhimit dhe tregtimit, ku janë aplikuar edhe 42 masa administrative. Hamzaraj tha, se për 7 nga njësitë e mësipërme u vendos bllokimi i aktivitetit, si një masë e kushtëzuar nga shkeljet e rënda që u konstatuan në aktivitetin e tyre prodhues dhe tregtar. Krahas kësaj, u vendos gjobë për një subjekt të tregtimit të miellit, administratori i të cilit nuk kishte deklaruar TVSH-në. Kreu i degës së Tatimeve të Vlorës konfirmoi se në të gjitha rastet, kur do të konstatohen abuzime me çmimin e bukës, njësitë përkatëse do të kategorizohen duke u përfshirë në subjektet e biznesit të madh.
22 Mars 2008