“CIKLONI 4”, hetohen bashkëpunëtorët në trafikun e armëve
TIRANË - Hetimet për katër personat që u arrestuan mbrëmë në Rrushbull të Durrësit, me akuzën e trafikut të armëve, janë përqendruar edhe në zbulimin e bashkëpunëtorëve të tyre. Grupi hetimor ka ngritur dyshimet se në këtë trafik janë përfshirë edhe persona të tjerë. Lajmi u konfirmua dje nga Policia e Shtetit, e cila tha se vazhdojnë hetimet për bashkëpunëtorë të tjerë në këtë aktivitet kriminal. Burime zyrtare bënë të ditur rezultatet e operacionit të koduar “Cikloni 4”, i organizuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për goditjen e një rrjeti me aktivitet kriminal në trafikun e armëve dhe municioneve luftarake. Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit: Glerjan Hyseni 31 vjeç, banues në Rushbull, Durrës, Shkëlqim Gjoka 34 vjeç, Adrian Moçka 46 vjeç, Hysen Hyka 48 vjeç, të tre banues në Tiranë. Personat e mësipërm janë kapur në kushtet e flagrancës mbrëmjen e së enjtes në Rushbull, Durrës, duke trafikuar një sasi municioni luftarak, mes tyre 9 mina me telekomandë. Në cilësinë e provës materiale, atyre iu sekuestruan 9 mina me telekomandë me lëndë eksplozive, 9 aparate telefonike të tipit “Nokia” me të cilat ishin të lidhura minat, 5 aparate telefonike të llojeve të ndryshme, një armë zjarri snajper tip “Browing” e prodhimit belg, një armë zjarri tip pistoletë me silenciator tip “Browing”, 18 copë fishekë, të cilët janë për përdorim nga arma tip snajper, si dhe dy automjete, një tip “Volvo” me targa TR 4491 C dhe një tip “Benz” me targa TR 9778 J. Bëhet e ditur gjithashtu se aktet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Në datën 20.03.2008, nga Drejtoria e Luftës kundër Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, është finalizuar operacioni i koduar “Cikloni 4” për arrestimin e shtetasve:
1. Glerjan Hyseni, 31 vjeç, lindur në Peqin dhe banues në Rushbull Durrës, me gjendje gjyqësore i padënuar, me arsim 8 klasë.
2. Shkëlqim Gjoka, 34 vjeç, lindur e banues në Tiranë, me arsim të mesëm, me gjendje gjyqësore i padënuar.
3. Adrian Moçka, 46 vjeç, lindur e banues në Tiranë, me gjendje gjyqësore i padënuar, me arsim të mesëm.
4. Hysen Hyka, 48 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, me arsim të mesëm, i padënuar.
Piu fostoksinë, humbi jetën në Spitalin Ushtarak
Tiranë - Mirsie Asim Beu, 18 vjeçe, lindur dhe banuese në fshatin Bogo, Kavajë, ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Me të marrë njoftim, uniformat blu nisën hetimet dhe pas marrjes së deklarimeve të të afërmve dhe personelit mjekësor thanë se dyshohet që shkak i vdekjes së viktimës është konsumimi i lëndës helmuese fostoksinë. Viktima është dërguar menjëherë nga banesa e saj në Kavajë për në drejtim të Spitalit Ushtarak të Tiranës dhe dje, rreth orës 23:00, ka gjetur vdekjen. U kryen veprimet procedurale, ndërsa viktima ndodhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e ekzaminimeve të mëtejshme. Materialet i kaluan Prokurorisë së Kavajës për veprime të mëtejshme.
Dëmton pronën e një shtetasi, ndalohet nga policia
Tiranë – Shkatërroi pronën e një shtetasi ,ndalohet nga policia. Burimet thanë se gjatë orëve të vona të ditës së djeshme, Seksioni kundër Vjedhjeve me Dhunë-Armë dhe të Shkatërrimit të Pronës realizoi arrestimin në flagrancë të shtetasit Fatmir Aliu, 58 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye sepse dje, në orën 16:00, në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë, pas një konflikti për motive të dobëta, ka shkatërruar portën dhe vetratën e lokalit “Peshku”, në pronësi të një shtetasi, ndërsa më pas ka goditur me grushte bashkëshorten e këtij të fundit. U kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale të “Shkatërrimit të pronës me mjete të tjera” si dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, parashikuar nga Nenet 154 e 90 të Kodit Penal.
22 Mars 2008