Vorë, nisi dje shpërndarja e fondit prej 2 milionë lekësh për çdo viktimë
Fondi prej 2 milionë lekësh, i akorduar nga Buxheti i Shtetit, ka nisur të jepet dje për çdo viktimë që humbi jetën nga ngjarja e ndodhur më 15 mars në fshatin Gërdec të Vorës. Kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, bëri të ditur se për secilën viktimë do të jepet një fond prej 2 milionë lekësh. Gjithashtu, ai tha se në ditët në vijim, nga fondi i emergjencës për të prekurit nga kjo ngjarje do të jepet shuma me vlerë 50 mijë lekë për banor dhe 200 mijë lekë për familje. Gjithashtu, të dëmtuarit nga shpërthimi në fshatin Gërdec do të përfitojnë dëmshpërblim me para në dorë nga qeveria menjëherë sapo të verifikohet sasia e dëmit. Kjo mënyrë, sipas kryeministrit Berisha, mund të jetë më e shpejta, ku njëkohësisht me paratë e përfituara banorët mund të bëjnë çfarë të dëshirojnë, pasi është e drejta e tyre. Gjithashtu, Këshilli i Ministrave ka vendosur t’u japë familjeve me shtëpi të pabanuara një shumë prej 50 mijë lekësh të rinj për frymë. Kryeministri Berisha tha se kjo shumë do të shkojë për familjet që gjenden në kushte të veçanta. Çdo familje e prekur në këtë tragjedi do të përfitojë menjëherë fondin prej 50 mijë lekësh për frymë, në mënyrë që të përballojë edhe kushtet aktuale të jetesës në të cilën ndodhen familjet e prekura nga shpërthimi në këto momente.
Rreth 4 milionë lekë për rikonstruksionin e qendrës shëndetësore
Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion një fond prej 4 milionë lekësh për rikonstruksionin e Qendrës Shëndetësore në Vorë. Kjo është bërë në kuadër të marrjes së masave për sigurimin e shërbimit shëndetësor për përballimin e situatës së krijuar nga ngjarja e 15 marsit në Gërdec. Burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë sqarojnë se punimet në këtë qendër pritet të nisin brenda tri ditëve. Kjo ministri ndër të tjera ka marrë masa për organizimin e shërbimit shëndetësor 24 orë në 24 orë në Qendrën Shëndetësore Vorë dhe vendstrehimin e popullatës së zonës në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, në Konvaleshencë në Durrës. Për përballimin e mjekimit të të sëmurëve të paraqitur në këto qendra, janë vënë në dispozicion të gjitha medikamentet e nevojshme. Në këto qendra aktualisht po organizohet shërbimi psikologjik me ekipe multidisiplinare. Ministria e Shëndetësisë ka udhëzuar strukturat e saj që të merren të gjitha masat për mbajtjen nën kontroll të gjendjes higjieno-sanitare.
22 Mars 2008