Bie në humnerë makina e rruga-urës, 1 i vdekur dhe 9 të plagosur
SHKODËR – Rënia në humnerë e një kamioni me rreth 10 persona që po udhëtonin në karroceri ka shkaktuar një tragjedi, pasi 1 person ka gjetur vdekjen dhe të paktën nëntë të tjerë janë plagosur rëndë. Burimet zyrtare të policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se kamioni me targë SHK 6133 C, tip IVECO, në përdorim të ndërmarrjes së Rruga-Ura në Shkodër, i cili drejtohej nga Isuf Mehaj 39 vjeç, ka dalë nga rruga, duke plagosur të gjithë personat që po udhëtonin për në fshatin Drisht. Për pasojë janë plagosur të gjithë pasagjerët, dhe pak më vonë njëri prej tyre ka qenë vdekjen. Sipas njoftimit zyrtar, viktima është Katrina Çoba 55 vjeç. Edhe tre prej të lënduarve janë në gjendje kritike për jetën në spitalin e Shkodrës. Burimet zyrtare thanë se tetë prej personave që udhëtonin në kamionin tip Iveco, pronë e ndërmarrjes rruga- ura në Shkodër, janë punëtorë të kësaj ndërmarrjeje. Burime nga spitali i Shkodrës, thanë se tre prej të dëmtuarve rëndë që po trajtohen në reanimacion janë Dedë Preçi, 49 vjeç, Gjetë Dusha 57 vjeç dhe Marie Çoba, 46 vjeç. Ndërsa pesë prej të aksidentuarve që po trajtohen në repartin e urgjencës, janë Ruzhdi Curri 40 vjeç, Mark Zojza, 23 vjeç, Enver Buhaj 42 vjeç, Shaban Mali 45 vjeç dhe Nosh Zojza 31 vjeç. I dëmtuar lehtë ka mbetur dhe drejtuesi i mjetit Isuf Mehaj, 39 vjeç. Policia ka nisur hetimet në lidhje me shkaqet e aksidentit, ku njëra prej tyre është ajo e amortizimit në makinës. Por, nuk përjashtohet edhe mundësia e ndonjë gabimi në drejtim të shoferit.
TË AKSIDENTUARIT
Katrina Çoba 55 vjeç, e vdekur
Dedë Preçi, 49 vjeç, - i plagosur
Gjetë Dusha 57 vjeç, - i plagosur
Marie Çoba 46 vjeç, - e plagosur
Ruzhdi Curri 40 vjeç, - i plagosur
Mark Zojza, 23 vjeç, - i plagosur
Enver Buhaj 42 vjeç, - i plagosur
Shaban Mali 45vjeç, - i plagosur
Nosh Zojza 31 vjeç, - i plagosur
Isuf Mehaj 39 vjeç, - i plagosur
13 Maj 2008