E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet me 600 kg marijuanë, neutralizohet pasi tentoi të largohet

Policia e Gjirokastrës arreston në flagrancë Besnik Bronkerin. Plagoset nga policia pasi tentoi të largohet nga vendngjarja

GJIROKASTËR – Një 35 vjeçar pasi ka dështuar në transportimin e një sasie të madhe marijuane nga Tepelena në Fier, ka tentuar që të largohet, por është neutralizuar nga policia, duke u plagosur në këmbë. Burimet zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës bëjnë të ditur se “orës 23.55 të ditës së dielë, në aksin rrugor Tepelenë –Fier, në vendin e quajtur klubi i Ali Pashait, në dalje të qytetit të Memaliajt, patrulla e policisë e Komisariatit të Policisë Tepelenë, ndaloi një kamion, brenda të cilës ndodheshin rreth 600 kilogram marijuanë. Policia ndaloi drejtuesin e kamionit, shtetasin Besnik Bronkeri, lindur në Korçë dhe banues në Vlorë. “Ai është përpjekur ti marrë pistoletën njërit prej punonjësve të policisë dhe në pamundësi të kryerjes së këtij veprimi ky shtetas është larguar me vrap, por pas disa të shtënave paralajmëruese në ajër, ai është qëlluar në këmbë, duke e neutralizuar”, - thonë burimet policore.
Ngjarja
Pas informacioneve të marra në rrugë operative se kamioni tip Reno, me targa, koka e kamionit VL 14 46 C dhe rimorkioja, me targë KO 54 27 B, që po lëvizte nga Tepelena në drejtim të Fierit, me dhjetwra forca policore janë angazhuar për ndalimin dhe kontrollin e tij. Drejtuesi i kamionit shtetasi Besnik Bronkeri, lindur në vitin 1973 në Korçë dhe banues në lagjen “Pavarësia” në Vlorë, ka ndaluar, dhe kur i është kërkuar nga policia të hapte mushamanë e karrocerisë, ai është përpjekur ti marrë pistoletën njërit prej punonjësve të policisë. Në pamundësi të kryerjes së këtij veprimi, ky shtetas është larguar me vrap. Njëri prej efektivave në aksion ka qëlluar disa herë në ajër me pistoletë, me qëllim që drejtuesi i mjetit të ndalonte, por ai ka vazhduar lëvizjen. Punonjësit e policisë e kanë neutralizuar, duke e plagosur në këmbën e majtë mbi gju. Burimet policore bëjnë të ditur se ai është dërguar menjëherë në spitalin e Gjirokastrës dhe më pas është transportuar për në Tiranë për ndërhyrje më të specializuar. Zëdhënësi Gentian Mullai pohon se drejtuesi i mjetit të ngarkuar me lëndë narkotike ka çarë kockën e këmbës. Shoqërimi i tij drejt spitalit ushtarak në Tiranë është bërë nën masa sigurie.
Droga
Nga kontrolli i bërë në kamion prej ekspertëve të grupit hetimor dhe Specialistëve të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar rezultoi se: Në karrocerinë e këtij kamioni kishte 24 çanta të mëdha sportive, me ngjyrë të zezë. Në secilën çantë kishte nga 20-25 pako me peshë 1 kilogramë secila, të gjitha këto të mbështjella me letër natriban, në formë cilindrike. Pakot ishin të mbushura me lëndë narkotike të llojit marijuanë.
“Gjithsej janë konstatuar rreth 600 kilogramë lëndë narkotike marijuanë”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Policisë. Sipas tij, lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, si dhe u arrestua në kushtet e flagrancës Besnik Bronkeri. Ai akuzohet për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Ndërkohë, kanë nisur hetimet për persona të tjerë të përfshirë në trafik. Ky është ndër rastet ku policia arrin të kapë një sasi kaq të madhe droge, pas atij të Kapshticës, ku në fundin e vitit të kaluar u sekuestruan në një kamion para doganës, teksa po tentonte të kalonte drejt Greqisë rreth 1 ton lëndë narkotike e llojit “Canabis sativa”.

13 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›