“Albenc Ago vrau i vetëm Eva Vishajn”
• "Apeli i prindërve të Eva Vishajt për rihapjen e dosjes së vrasjes, zbulimin e autorëve të tjerë të implikuar dhe saktësimin e motivit të krimit, mund të realizohet pas një kallëzimi të dytë në Prokurori".Trazhgim SokolajKështu shprehen burimet nga organi i akuzës, të cilat thanë se vendimi për dënimin e Albenc Agos, me akuzën e vrasjes me dashje të Eva Vishajt, ka marrë formë të prerë që në janar 2006. Sipas Prokurorisë, gjatë hetimeve të zhvilluara më parë për vrasjen, nuk është zbuluar ndonjë fakt apo rrethanë për praninë e personave të tjerë të implikuar në ngjarje, përveç Albenc Agos. "Nëse gjatë hetimeve të zhvilluara më parë për këtë ngjarje, do të zbuloheshin fakte apo rrethana për persona të tjerë, atëherë ata do të merreshin në hetim", sqaruan burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, dëshmitarët janë shprehur se Albenc Ago ka qenë i vetëm në makinë me Eva Vishajn kur po udhëtonte nga Tirana për në vendin ku është gjetur viktima e vrarë me një plumb në syrin e djathtë. Prokuroria pranoi se gjatë hetimeve të zhvilluara pas dhjetorit 2004, por edhe gjatë gjykimit të dosjes, nuk është bërë e mundur të saktësohej motivi i ekzekutimit të Eva Vishajt. Zyrtarët e organit të akuzës, thanë se saktësimi i motivit të vrasjes është element i rëndësishëm për akuzën e vrasjes, por jo i domosdoshëm, kur ekzistojnë prova të mjaftueshme për autorin e krimit.Rihetimi i dosjesZyrtarët e organit të akuzës por edhe juristët me eksperiencë, konfirmuan dje se Prokuroria do të jetë e detyruar të zhvillojë hetime shtesë, nëse të afërmit e Eva Vishajt apo persona të tjerë me dijeni për rrethana të caktuara, paraqesin kallëzim penal. "Një veprim i tillë do të vinte në lëvizje Prokurorinë për verifikimin dhe hetimin e fakteve të reja, nëse ato nuk janë trajtuar gjatë hetimeve të mëparshme", sqaruan më tej burimet nga organi i akuzës. Sipas tyre, pak orë pas ekstradimit të Albenc Agos nga Italia, një prokuror i Sektorit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale ka përcjellë në institucionin e burgjeve, vendimin penal për dënimin e të akuzuarit bashkë me dosjen personale të tij. Me kaq kanë përfunduar veprimet e prokurorit të ekzekutimit të vendimeve penale, ndërkaq, sipas burimeve të akuzës, rihetimi i dosjes mund të shkaktohet dhe nga i dënuari. Ai nuk ka dhënë deklarime më parë pasi është hetuar e gjykuar në mungesë. Në këtë mënyrë, nëse Albenc Ago kërkon të dëshmojë për fakte të reja mbi ngjarjen, atëherë sipas ligjit, Prokuroria është e detyruar të rihetojë vrasjen dhe të rihapë dosjen e krimit. Tri ditë më parë, prindërit e Eva Vishajt kërkuan nga drejtësia hetimin e plotë për vrasjen e vajzës së tyre. Sipas prindërve të viktimës, Albenc Ago nuk është i implikuar i vetëm në këtë ngjarje, të cilës drejtësia ende nuk i ka sqaruar shkakun e ekzekutimit të nënës së këngëtares së njohur shqiptare, Elsa Lila.7 vitepas vrasjes së Eva Vishajt në maj 1997, Prokuroria hapi hetimet. Në vitin 2004 u rihap dosja, ndërsa në mars 2005 u ngrit akuzë ndaj Albenc AgosDosja e vrasjes, ekzekutimi i Eva Vishajt, krim i momentitTIRANE - Ekzekutimi me armë zjarri i nënës së Elsa Lilës duket se ka qenë një krim i momentit. Kështu të paktën rezulton te jetë dinamika e krimit, sipas dosjes së Prokurorisë dhe vendimit të Gjykatës së Tiranës për dënimin e autorit të krimit. Dëshmitarët kanë treguar në gjykatë se kishin parë Albenc Agon bashkë me Eva Vishajn në makinë, më 23 maj 1997. Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve, komunikimi mes dy personave që ndodheshin në makinë dukej të ishte i tensionuar. Gjithsesi nga hetimi janë zbuluar veprime të Albenc Agos që flasin për një paramendim të krimit. Ai kishte shkuar me makinë tek kursi i aerobisë që frekuentonte viktima dhe kishte marrë me vete Eva Vishajn duke u drejtuar në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Ngjarja, sipas dosjes duket se ka ndodhur si pasojë e acarimit të momentit mes të dënuarit dhe viktimës. Trupi i pajetë i Eva Vishajt është gjetur nga shoferi i një furgoni në kilometrin e 29-të të rrugës Tiranë-Elbasan. Hetimi nuk ka zbuluar ndonjë dëshmitar apo të dhënë që të hedhin dritë konkretisht mbi mekanizmin e ngjarjes, veç faktit se verifikimi i kufomës tregoi që viktima ishte qëlluar me një plumb në syrin e djathtë. Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 20 vjet burg Albenc Agon por në vendimin gjyqësor, në asnjë moment, nuk sqarohen rrethanat e njohjes së të akuzuarit me viktimën ndërsa nuk jepet asnjë detaj lidhur me shkakun e krimit. Familjarët e Eva Vishajt, nëna dhe babai i saj, kanë kërkuar rihapjen e dosjes së vrasjes, një ditë pas ekstradimit të Albenc Agos nga Italia.