Pranga drejtuesve të doganës
• Krimi ekonomik godet dhe në Berat. Drejtori i doganës dhe zëvendësi i tij janë arrestuar pasditen e djeshme, të akuzuar për marrje ryshfeti duke shfrytëzuar detyrën.BERAT/ DILAVER XHELILINjë aksion i koduar "Fason", organizuar nga policia e Beratit dhe Drejtoria e Krimit Ekonomiko-Financiar në Policinë e Shtetit, përfundoi me prangosjen e Hodo Hasanit dhe Shaban Danushit. Rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, në hyrje të qytetit të Beratit, e pikërisht para portës kryesore të kompanisë "CENTRESHQIPTARE" sh.p.k, makinat e policisë bllokuan dy drejtuesit e doganës së Beratit. Ndaj tyre kishte nisur hetimi pas të dhënave se ata kishin përfituar disa herë shuma të konsiderueshme parash në këmbim të krijimit të lehtësirave doganore, duke shkelur ligjin. Këta punonjës të doganës, sipas policisë, kanë marrë në mënyrë sistematike ryshfete nga subjekte private tregtare që ushtrojnë aktivitet në qarkun e Beratit gjatë zhdoganimit të mallrave. Aksioni i djeshëm ka bërë ndalimin në flagrancë, pak minuta pasi krerët e doganës kishin kryer një procedurë të ngjashme korruptive. Nga kontrolli i personave dhe mjeteve të tyre u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 270 mijë lekë dhe 300 euro, të cilat dyshohet se ishin siguruar nga shkelja e detyrës. Po ashtu janë bllokuar 3 telefona celularë, si dhe dy automjete: një i markës "Mitsubish Pajero", i degës së doganës në Berat me targë BR 0875B dhe një makinë tip "Volkswagen" Golf me targë BR 1999B. Provë komprometuese për ta ka qenë një praktikë doganore për hetuesit vërteton implikimin në çështje korruptive. Sipas policisë së Beratit, fillimisht është shoqëruar në komisariat dhe pronari i mallit që po zhdoganohej, por ai ka rezultuar se ishte i paimplikuar në këtë çështje. Ai rezulton se ka dorëzuar shumën e saktë që duhej për të kryer zhdoganimin e mallit në degën e Doganës së Beratit, por një pjesë e tyre është derdhur në shtet, ndërsa tjetra në xhepat e dy drejtuesve. Akuza zyrtare e formuluar ndaj Hasanit dhe Danushit është ajo e "korrupsionit pasiv nga punonjësit që ushtrojnë funksion publik". Vetëm një ditë më parë, një aksion i ngjashëm u krye në doganën e Tushemishtit në Korçë, kur për të njëjtën akuzë u vunë në pranga tre punonjës të saj, një doganier dhe dy oficerë policie.