Olldashi-Braçe, Garda shmang grushtet
• Rikthehen grindjet dhe debatet banale në Kuvendin e Shqipërisë.BLEDAR HOTIPas një periudhe qetësie ndërmjet dy kampeve të politikës, sherri mes deputetëve dhe ministrave ka pushtuar edhe një herë arenën e Parlamentit. Tenderët për punët publike kësaj here sollën debate të ashpra dhe sherre ndërmjet ministrit të Transportit, Sokol Olldashi dhe deputetin e PS-së, Erjon Braçe. Acarimi ndërmjet tyre ka arritur kulmin aq sa pas shkëmbimit të fjalëve, Olldashi dhe Braçe kanë tentuar të kacafyteshin njëri me tjetrin. Gjithçka ka ndodhur pas diskutimit që Erjon Braçe bëri në Kuvend në lidhje me tenderët e dhënë për rrugët dhe për kartat e identitetit. Për Braçen korrupsioni ka pushtuar shtetin dhe kryeministri duhej të reagojë menjëherë për tenderët që po realizohen, duke abuzuar me fondet publike. Ministri i Transportit, Olldashi hodhi poshtë pretendimet e Braçes për mos barazi në tender dhe pjesëmarrje të firmave me "CV të zezë". Sipas tij, "këto janë vepra të infrastrukturës publike të financuara pjesërisht nga shteti dhe pastaj nga Banka Evropiane. Procedurat e prokurimit që janë ndjekur në rastin e Kamzës, si dhe në dy rastet e tjera janë ndjekur, duke u bazuar në rekomandimet e Bankës Evropiane të Investimeve dhe BERZH". "Pjesë të ndryshme nga procedurat, do të thosha se sjellin këtu njerëz që harbojnë në oborret e vrasësve që merren me ndërtime dhe që kanë interesa të tjera aspak të lidhura me publikun", iu drejtua Olldashi, Braçes. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së ka tentuar që të replikojë me fjalën e ministrit, por është ndaluar nga kryeparlamentarja. Topalli nuk ka pranuar që t'ia japë fjalën, duke u shprehur se "nuk ka replikë me replikën". Në këtë moment, Braçe ka insistuar që të marrë fjalën duke iu drejtuar podiumit kryesor, por kryeparlamentarja ka ndërprerë për dy minuta seancën me shpresën që qetësia të rikthehej në seancë. Pikërisht në këtë moment janë rikthyer debatet mes Olldashit dhe Braçes. Pas disa shkëmbimesh me fjalë fyese dhe banale, Olldashi është ngritur nga karrigia dhe ka tentuar të zihej me grushte me deputetin socialist, por që është frenuar nga punonjësit e shërbimit të brendshëm të Gardës. Ndërsa edhe Braçe ka tentuar që të përleshet me Olldashin, por është ndalur nga deputetët socialistë Majko, Dervishi. "Ta këpus zverkun more maskara. Nuk jam unë si ti që marr urdhra nga Tan Lepuri", i është drejtuar Olldashi, ndërsa Braçe i është kundërpërgjigjur me shprehjen "shko në gjyq, shko dëshmo". Pas disa sekondash, Olldashi dhe Braçe kanë ndaluar në dyer të ndryshme të sallës kryesore. Ndërsa ministri i Transporteve ka dalë jashtë duke braktisur seancën, Braçe ka preferuar që të qëndrojë në ambientet e brendshme. Pas gjysmë ore pushim, pasi ka ikur edhe ministri ka rinisur dhe seanca parlamentare. Braçe ka marrë fjalën që të sqarojë debatin me ministrin Olldashi, duke bërë të qartë se nuk e ka ofenduar aspak atë. Duke folur për këtë çështje, Braçe kërkoi të verifikohen të dhënat e këtyre kompanive që sipas tij "janë me probleme shumë të rënda me ligjin".Kuvendi debat për raportin e KKRTSeanca e Parlamentit vazhdoi edhe pasditen e djeshme me debatet e deputetëve për çështjen e raportit të Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit. Kryetarja e këtij institucioni, Mesila Doda ka theksuar në fjalën e saj se "një detyrë e rëndësishme e KKRT-së e përcaktuar në ligj, mbetet monitorimi i respektimit nga media elektronike, i normave etiko-morale në transmetimet e programeve radiotelevizive, ku është ngritur Këshilli i Etikës". Opozita u shpreh se ky institucion drejtohet nga qeveria dhe se kanë shprehur ankesa për mos balancim të kohës për partitë e opozitës, ku pjesa më e madhe e televizioneve, si dhe TVSH i kanë dhënë më tepër hapësirë kryeministrit. Ndërsa një pikë tjetër e ngritur është dhe konflikti i interesave.