E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Skela nuk ishte dorëzuar nga specialistët”

• FUSHE-KRUJE - "Skela e oxhakut nga e cila u rrëzuan 6 punëtorët e firmës së çimentos, nuk ishte dorëzuar nga skuadra e montimit të saj".Ky konkluzion i nxjerrë dje nga ekspertimet dhe deklarimet e marra në fabrikën e Fushë-Krujës, ku ndodhi aksidenti i rëndë gjatë punës, ka fajësuar të lënduarit. Sipas tij, specialistët nuk kanë marrë miratimin e kolegëve të tyre për t'u ngjitur në lartësinë mbi 100 metra brenda oxhakut. Që prej fillimit të muajit, kur u identifikua një defekt në furrën e fabrikës, puna ishte bllokuar. Vendosja e skelës do të mundësonte ngjitjen e inxhinierëve në oxhak, deri në konstatimin e problemit që kishte pezulluar aktivitetin. Nisur nga hetimet, Dunkan Rethoford, Llazi Stavenkovski, Lajfi Jevernat, Besim Gashi, Ali Sabah dhe Elidon Arapi, (me shtetësi të ndryshme) nuk kanë marrë lejen përkatëse për t'u ngjitur. Ndonëse skela ishte montuar thuajse plotësisht, një dërrasë e saj është shkëputur papritur, duke provokuar rënien njëri pas tjetrit të të gjithë punonjësve të fabrikës së çimentos, të privatizuar nga një firmë libaneze. Ditën e djeshme, në ambientet e saj në Fushë-Krujë kanë mbërritur ekspertë të policisë, prokurorisë si dhe të Inspektoratit të Punës. Por, ndonëse ekspertiza e plotë nuk ka përfunduar, paraprakisht përgjegjës për aksidentin e rëndë janë cilësuar vetë të plagosurit. Mjekët e Spitalit Ushtarak, të cilët janë kujdesur për të lënduarit që prej mesditës të së mërkurës, thanë se maqedonasi Llazi Stavenkovski vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, si pasojë e goditjeve të forta të marra në kokë e trup. Pesë të tjerët kanë dalë nga gjendja e rrezikut dhe po mbahen në terapi deri në shërimin e plotë të plagëve të shkaktuara gjatë rënies nga një lartësi prej 100 metrash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›