Albert Xhani shet 50 për qind të Partizanit
Kriza e Partizanit mund të marrë fund para vitit të ri. Këtë e ka konfirmuar presidenti aktual i klubit të kuq, i cili ka zhvilluar dje një takim me dy biznesmenë shqiptarë, të cilëve mund t’iu shesë gjysmën e aksioneve. Flitet se është arritur një akord verbal mes të tria palëve, por ende nuk është vendosur zyrtarisht një marrëveshje. Kanë qenë të shumtë tifozët që kanë kontribuar gjatë dy sezoneve të fundit, por një pjesë e mirë e tyre kanë dhënë jo pak për klubin e Partizanit. Dy biznesmenë që janë gjithashtu tifozë të zjarrtë të kësaj skuadre, Paro Laçi dhe Lulëzim Sallaku, kanë hyrë në bisedime për të blerë aksione të klubit të Partizanit dhe dje kanë zhvilluar edhe një takim në mesditë me presidentin e kësaj skuadre, Albert Xhanin. Nuk janë bërë të ditura detajet e bisedës dhe kërkesa e palëve, por burime pranë tyre kanë pohuar se raundi i parë i bisedimeve ka ecur mjaft mirë dhe gjatë ditëve të ardhshme pritet të ketë një takim përfundimtar si dhe një komunikatë për shtyp. Mungesa e financimeve ishte shkaku i krizës së Partizanit. Dje është folur se dy biznesmenët me të cilët është takuar Albert Xhani mund të merrnin 50 për qind të aksioneve, përkatësisht 40 për qind Paro Laçi dhe 10 për qind Lulzim Sallaku. Megjithatë, të gjithë pjesëmarrësit në bisedime kanë ruajtur me fanatizëm detajet financiare për të cilat është folur. Asnjë nga palët nuk ka dashur të japë hollësi në lidhje me termat financiarë. Futja e aksionerëve të rinj është padyshim një nga zgjidhjet përfundimtare për klubin e partizanit. Vetë të pranishmit, por edhe presidenti i të kuqve, Xhani, ka konfirmuar se nëse arrihet një marrëveshje konkrete me palëve, do të vijë edhe zgjidha e të gjitha problemeve që ka pasur skuadra e tij.