Kalendari i ri “mbulon” sezonin e munguar
Alma Mile
I kritikuar për një kalendar të varfër, për premierat e pakta dhe për “fatin e mbrapshtë”, që ka ndjekur projektin më të shumëpritur të sezonit, drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, shpalos programin për vitin që vjen. Të mbledhur dje në një konferencë për shtyp për premierën e dramës “Kush ka frikë nga Virginia Woolf”, Skrami paraqiti në vija të “trasha” aktivitetin e TK-së, deri në dhjetor të vitit 2010.Parashikohet të ngjitet në skenë “Elektra” e Sofokliut, “Gjashtë personazhe pa autor” të Pirandelos, madje edhe “Hamleti” i Shekspirit. Sigurisht që të kesh që në dhjetor, gati kalendarin edhe për dhjetorin tjetër është një fakt për t’u përgëzuar, por duke pasur parasysh sezonin që lamë pas, nuk mund të mos dyshosh në mbarëvajtjen sipas parashikimit. Gjatë periudhës shtator-dhjetor, nuk mund të thuash se TK ka zierë nga aktiviteti. Ose, edhe nëse ka pasur ngjarje, gjysma e tyre nuk kanë qenë produkte të TK-së. Kështu, teksa pritej që në skenë të ngjitej “Kush ka frikë nga Virginia Woolf”, e lajmëruar që prej sezonit të kaluar, në skenën e Kombëtarit u ngjit një dramë e Mihallaq Luarasit, “Antigona kërkon të atin”, premiera e së cilës ishte në qershor në teatrin e Fierit, një vepër e frymëzuar nga ekspozita për nder të viktimave të diktaturës, që u hap në Muzeun Historik Kombëtar. Më tej vijoi me repertor, me veprat “Forca e zakonit” me regji të Kristian Papke, “Këngëtarja tullace” e Spiro Dunit dhe “Menaxheria e qelqtë”, të dyja iniciativa private. E parashikuar për në fillim të muajit nëntor, për shkak të një aksidenti që një prej aktoreve pësoi në prova, e vetmja premierë e sezonit, “Virginia”, u shty sërish. Anulimi i premierës u “kamuflua” disi me fillimin e Javës së Teatrit të së Rinjve, mundësuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e prej së cilës sigurisht nuk mund të presësh më shumë nga ç’mund të japin regjisorë e aktorë, në fillim të karrierës së tyre artistike. Nga data 27 nëntor-6 dhjetor, ambientet e Teatrit Kombëtar u ndriçuan nga një tjetër atmosferë. Përgjatë 10 ditësh, TK i huazoi ambientet e veta edicionit të shtatë të Tirana International Film Festival (TIFF-it), i cili i solli gjallërinë këtij institucioni, pse jo edhe pak luks të munguar me tapetin e kuq dhe statujat e bronzta të Antigonesë. Një frymëmarrje që i mungon institucionit më të madh teatror në vend. Gjatë këtij 10-ditshi, në TK nuk mund të flitej për shfaqje teatri. Ndërsa dje, më në fund u njoftua shfaqja e premierës së Edward Albee në sallën “Kadri Roshi”. Pra në katër muaj, Teatri Kombëtar i ofron publikut vetëm një premierë, e cila do të ketë nesër provën e zjarrit
Nëse i kthehemi kalendarit të ri, në të premtohen vepra të mëdha, që nga antikiteti, deri tek absurdi. Regjisori Adonis Filipi do të vërë “Elektra”-n e Sofokliut, Mehmet Xhelili, “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” të Pirandelos. Drejtori Skrami thotë se më në fund, pas shumë vitesh do të kemi edhe një Shekspir dhe bëhet fjalë për “Hamleti”-n. Një vepër e madhe, të cilën thuhet se do ta vërë në skenë regjisori grek Jorgos Qimulis. Në të vërtetë ky është një emër, i cili ka vite që lakohet në krye të çdo sezoni në Teatrin Kombëtar, madje qysh në kohën e ish-drejtorit Kiço Londo, por që ka mbetur deri tek premtimi, pasi vepra është ende në pritje. Të shpresojmë që këtë herë Qimulis të vijë vërtetë. Gjithsesi nga gjithë sa paraqitet në kalendar, këto janë tri projekte konkrete, ndërsa për të tjerat vazhdohet me terma të përgjithshme si “Dramë shqipe, përzgjedhur nga prurjet e dramaturgëve shqiptarë me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Teatrit Kombëtar”, apo “Premierë në bashkëpunim me ETC, me staf artistik gjerman” (?!). për vitin që vjen janë parashikuar edhe dy aktivitete ndërkombëtare, pjesëmarrja në Bienalen teatrore “Neë Plays from Europe” e tragjikomedisë “Allegreto Albania” dhe një seminar në Saint Ettien. Por, le të mos gënjejmë veten. Me gjithë dëshirën e mirë, duhet thënë se institucionet shqiptare janë larg programimit të kalendarit të aktiviteteve për 3-4 vitet e ardhshme, siç ndodh në institucionet simotra dhe duket se edhe për ca kohë, do të jenë në mëshirën e spontanitetit.
Kalendari për vitin që vjen
Dhjetor 2009 -shkurt 2010
Premierë: “Elektra” e Sofokliut, regjisor Adonis Filipi
Janar – mars 2010
Premierë: “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, Luigi Pirandello, regjisor Mehmet Xhelili
Mars-prill 2010
Dramë shqipe (përzgjedhur nga prurjet e dramaturgëve shqiptarë me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Teatrit Kombëtar)
Prill-maj 2010
Premierë: “Hamleti”, Shekspir, regjia Jorgo Qimulis
Maj 2010
Festimi i 65-vjetorit të krijimit të Teatrit Kombëtar
Shtator-dhjetor 2010
Premierë në bashkëpunim me ETC, me staf artistik gjerman
Shkurt 2010
Shpallja e fituesit të konkursit të dramës shqipe, bashkëpunim i TK, MTKRS dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë