Berluskoni: Dashuria fiton mbi dhunën; agresori i kërkon falje
Kryeministri italian, Silvio Berluskoni do të dalë sot nga spitali i Milanos ku qëndron i shtruar prej dy ditësh, që pas tubimit të së dielës, ku u dëmtua në fytyrë pas një sulmi. Ai është zgjuar dje në 6:30 të mëngjesit dhe njëlloj si të hënën, kërkesa e parë kanë qenë gazetat. Mes vizitave dhe telefonatave, ai ka marrë një mesazh nga kryeministri rus, Vladimir Putin, i cili e përgëzonte për sjelljen “si një burrë i vërtetë në një situatë ekstreme”. Berluskoni del sot nga spitali, por duhet të bëjë pushim total duke u tërhequr nga jeta publike për dy javë të tjera. Humori i tij ka rënë shumë. Zëdhënësi i kryeministrit, Paolo Bonaiuti tha në Tg1 se ata i tremben “sulmeve të tjera kundër presidentit të Këshillit, por ai duhet të qëndrojë në mes të njerëzve. Populli është forca e tij”. Ministri italian i Drejtësisë, Angelino Alfano, tha se “Klima e urrejtjes, e shfaqur nga një i çmendur nuk mund të jetë një rast i izoluar sepse siç i ka kaluar atij nëpër mend të bëjë një veprim të tillë, ashtu mund t’i kalojë edhe të tjerëve”, tha ministri. Ndërkohë me urdhër të Ministrit të Brendshëm, faqet e internetit ku lobojnë grupi pro Berluskonit dhe ia kundër tij, janë fshirë. Lideri i UDC, Pier Ferdinando Casini, kujtoi se në SHBA, nëpërmjet internetit “Obama merr kërcënime nga më të ndryshmet, por askujt nuk i ka kaluar as nëpër paradhomën e trurit ideja që të censurojë Internetin”. Agresori i Kryeministrit italian, Tartaglia i ka shkruar një letër Kryeministrit Berluskoni ku i kërkon falje për veprimin e tij. Berluskoni, nëpërmjet faqes zyrtare të partisë së tij, ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur, dhe ka siguruar se “Dashuria fiton mbi dhunën”.