E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kush ka frikë nga Virginia Wolf”, premierë në teatër

 

Kudo që është shfaqur ka ngjallur debate. Tema që ajo trajton është e prekshme në çdo kohë e në çdo vend. Nesër në mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar do të ngjitet drama “Kush ka frikë nga Virfinia Woolf”. Një vepër e autorit Edward Albee me regji të regjisorit të ri, Kushtrim Bekteshi. “Kush ka frikë nga Virginia Wolf” trajton problematikën e jetës në çift, krizën e brendshme dhe shtirjen në sytë e botës. Ajo ka në qendër dy çifte të martuarish, që ndonëse në sy të të tjerëve duken si të lumtur, zbulojnë se marrëdhëniet e tyre janë tepër të brishta dhe të sulmuara nga shumë faktorë të jashtëm. “Konceptimi im regjisorial i mëshon më tepër faktit që raportet në çift ndërtohen në një botë iluzore”, thotë Bekteshi. Sipas tij vepra, ndonëse realiste vjen në një sfond disi surreal. Për aktoren Eva Alikaj, që luan personazhin e Martës, ky është roli që kishte pritur prej kohësh. “Kësaj here mund të them se vërtetë kam ëndërruar ta kem një rol të tillë. Sa herë e kam lexuar, apo kur e kam parë, jam lutur të më jepej mundësia ta luaja këtë rol. Për rolin e Martës ka qenë një luftë. Unë jam përpjekur dhe kam luftuar shumë, sepse gjithë kjo shkëputje e madhe e imja nga teatri, vendimi radikal për t’u kthyer përfundimisht, ishte si të hidheshe në ujë të ftohtë pa pasur fare ngrohje. Kjo më ka bërë të kem dyshime, kam pasur edhe frikë”, u shpreh dje Alikaj, teksa shton se përpara premierës mendon se ka arritur të realizojë çka i është kërkuar nga regjisori. “Kush ka frikë nga Virginia Woolf” ishte parashikuar të shfaqej një muaj më parë, por u shty për shkak të një aksidenti që aktorja Eftiola Laçka pësoi gjatë provave. Ajo u rrëzua nga një platformë prej 2 metrash të lartë, të ngritur mbi skenë dhe pësoi një krisje të njërës brinjë. Për këtë arsye ajo qëndroi gati 10 ditë në regjim shtrati. Në kohën e rrëzimit, ajo po provonte një skenë, ku Hani, personazhi që ajo luan, po kërcente e dehur. Në mungesë të kushteve që sigurojnë aktorin, ndodhi edhe aksidenti. Tanimë aktorja është gati për të luajtur rolin e Hanit.

Shfaqja

Autor: Edward Albee
Shqipëroi: Gjergj Peçi
Regjisor: Kushtrim Bekteshi
Skenografe:
Ljerka Hribar
Kostumografe:
Anila Zajmi
As/regjisore:
Nigela Ruka
Interpretojnë:
Eva Alikaj, Viktor Zhusti, Helidon Fino dhe Eftiola Laçka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›