Albertini: “Opozita duhet të respektojë rregullat e demokracisë”
Gjatë vizitës së saj në Bruksel, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi një takim me kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, Albertini. Gjatë këtij takimi, kryetarja e Kuvendit bisedoi lidhur me liberalizimin e vizave dhe përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Albertini garantoi se “brenda mesit të këtij viti, në verë, do të mbyllet procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë. Jemi shumë të kënaqur sepse kjo e afron Shqipërinë me Europën, dëshirë që e kemi të gjithë ne, veçanërisht ne italianët, që jemi afër. Natyrisht dhe për shqiptarët, që pas vitesh izolimi aspironi të hyni në Europë me të drejta të plota”. Gjatë një prononcimi për mediat Albertini komentoi bojkotin që opozita shqiptare vazhdon t’i bëjë Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e qershorit. Ai tha se opozita duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve që janë certifikuar nga ndërkombëtarët dhe të respektojë rregullat e demokracisë. “Pa dyshim, rregullat e demokracisë janë rregulla të forta. Në momentin kur bëhen zgjedhje dhe pasi komuniteti ndërkombëtar i ka verifikuar dhe certifikuar si zgjedhje të rregullta, atëherë rezultatet e dala qartësisht janë një realitet. Nga këto zgjedhje ka dalë një maxhorancë dhe minoranca duhet të ndërgjegjësohet për vendin që i takon. Të mos pranosh këto rregulla, siç bën opozita me qëndrimin e saj, është të refuzosh demokracinë”, - është shprehur Albertini.
15 Janar 2010