E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët e BE-së dhe ai i SHBA-ve premtojnë fonde për zonat e përmbytura

Withers: “Qeveria amerikane do të bëjë publike ndihmën e fazës së parë”. Lohan e Montobio: “BE-ja do të vazhdojë të japë kontribut për rehabilitimin”
Eljona Ballhysa
Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian dhe ambasadori i SHBA-ve, John Withers, premtuan dje se do të ndihmojnë me fonde konkrete banorët e zonave të përmbytura në kapërcimin e situatës së emergjencës. Këtë deklaratë ambasadorët e bënë dje gjatë një vizite të organizuar nga Presidenti i Republikës, Topi, në zonat e përmbytura në qarkun e Shkodrës. Presidenti i Republikës, i shoqëruar nga ambasadori i SHBA-ve, Withers, ambasadori i KE-së, Lohan, si dhe nga ambasadori i Spanjës, që ka presidencën e radhës së BE-së, Montobio, inspektuan gjatë ditës së djeshme situatën në fshatin Obot dhe Ana e Malit në qarkun e Shkodrës, që ndodhen nën ujë prej gati dy javësh. Gjatë fjalës së tij për mediat, presidenti u shpreh se situata po shkon drejt normalizimit, ndërkohë që shprehu bindjen se kompensimi për banorët do të jetë real. Presidenti gjithashtu falënderoi ambasadorët që e shoqëruan në këtë vizitë inspektimi, ku panë nga afër situatën e vështirë. Topi bëri të ditur se partnerët ndërkombëtarë do ta ndihmojnë Shqipërinë në kapërcimin e situatës së vështirë, por edhe në rehabilitimin e zonës.
Deklarata
“Kemi një thithje të dukshme të ujit nga Buna. Jam i bindur se me masat që po ndërmerren, me ndihmën dhe të kushteve të motit, situata do të kthehet drejt normalitetit”, - deklaroi presidenti, duke falënderuar të gjitha strukturat e shtetit, forcat e Ushtrisë dhe të Policisë e shoqatat, të cilat demonstruan solidaritet në menaxhimin e situatës. Presidenti falënderoi gjithashtu dhe partnerët ndërkombëtarë për gatishmërinë e tyre dhe median për paraqitjen me transparencë dhe pa u lodhur të situatës në gjithë këto ditë. “Patjetër që kjo zonë do t’i kthehet normalitetit me ndihmën e strukturave të shtetit. Duhet të vazhdojë bashkëpunimi, të bëhet evidentimi i dëmeve që kanë ardhur nga kjo situatë. Shteti të bëjë të mundur që gjithçka të kompensohet. Jam i bindur që kompensimi do të jetë real. në bazë të një gjykimi dhe profesional”, - theksoi presidenti Topi. Më tej kreu i shtetit shtoi se prania e tij dhe e ambasadorëve ndërkombëtarë është një hap që do të pasojë investimet e shumta, si dhe riaktivizimin e disa projekteve që kanë mbetur pa u bërë në këtë zonë, duke kujtuar se është koha që Shqipëria dhe Mali i Zi të realizojnë jo vetëm thellimin e Bunës, por bonifikimin substancial të zonës.
Ambasadorët
Ndërkaq, ambasadorët, nga ana e tyre, duke falënderuar presidentin Topi për ftesën për të vizituar dhe parë nga afër zonat e përmbytura, premtuan ndihmën e qeverive të tyre për banorët e këtyre zonave. “Sapo jam kthyer nga SHBA. Qeveria ime në të vërtetë është përqendruar në këtë situatë dhe ne nesër (sot) do të bëjmë me dije fazën e parë të asistencës që dëshirojmë të ofrojmë. Ajo do të pasohet me fazën e rikuperimit dhe rehabilitimin e banorëve”, - deklaroi ambasori Withers, ndërsa ka vlerësuar solidaritetin e shqiptarëve, të cilët kanë hapur dyert e shtëpive duke strehuar familjet në nevojë.
Edhe ambasadori i Komisionit Europian, Helmut Lohan, ndërsa bëri të ditur reagimin e menjëhershëm me ndihma dhe ekspertizë nga ana e BE-së, premtoi se do të vazhdojë mbështetja për këto zona. “Është shumë e rëndësishme për ne që të shikojmë nga afër këtë situatë. Dëshirojmë të shprehim solidaritetin tonë për të gjithë personat që kanë kaluar këtë situatë. Bashkimi Europian ka pasur mundësinë që ta shprehë në mënyrë të qartë dhe të shpejtë solidaritetin, duke dërguar ekspertë, të cilët kanë ndihmuar autoritetet shqiptare. Solidariteti i BE-së nuk mbaron këtu, por ne do të shfaqim solidaritet në një fazë të dytë për rehabilitimin e të gjithë zonës”, - është shprehur Lohan. Edhe ambasadori i Spanjës, Montobio, ndërsa premtoi vazhdimin e ndihmës, vlerësoi autoritetet shtetërore shqiptare për menaxhimin me sukses të situatës së emergjencës.

John Withers
“Ne do të bëjmë me dije fazën e parë të asistencës që qeveria amerikane do t’u ofrojë autoriteteve shqiptare për këtë situatë dhe më vonë, besoj, do të ketë një fazë të dytë”.

Helmut Lohan
“Bashkimi Europian ka pasur mundësinë që ta shprehë në mënyrë të qartë dhe të shpejtë solidaritetin, por ne do të vazhdojmë ndihmën për rehabilitimin e të gjithë zonës”.

15 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›