E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Albpetrol" rikthen në punë 100 viktima të reformës

Shkurtime dhe emërime të reja në punë. Me këto po përballet ditët e fundit kompania e naftës "Albpetrol", si dhe të gjitha ndërmarrjet vartëse të saj. Mësohet se vetëm dy ditët e fundit janë rimarrë në punë mbi 100 naftëtarë. Bëhet fjalë veçanërisht për punonjësit e sektorit VII dhe VI të Qendrës së Përpunimit të Naftës në Patos, të cilëve të premten e kaluar u është komunikuar largimi nga puna për shkak të reformës. Sipas punonjësve të rimarrë në punë, shkak i rikthimit të tyre në vendet që mbanin më parë ka qenë rishikimi i të gjitha dosjeve. Madje, naftëtarët e rikthyer të pranojnë fare hapur se një arsye e fortë për rikthimin në punë ka qenë përfshirja e tyre në partitë e spektrit të djathtë dhe veçanërisht në PD. "Jam me teserën e PD-së që nga viti 1992 dhe ma justifikuan këta drejtorët nxjerrjen në reformë. Ndërsa kam takuar krerë të PD-së në Patos e Fier, respektivisht Ferdinand Muratin dhe Miti Tapian munda të qëndroj në punë", të thotë Ajdine Llanaj, një naftëtare. Ajo punon prej 33 vjetësh në naftë dhe tregon se deri sot nuk ishte ndier ndonjëherë e rrezikuar nga të ashtuquajturat reforma. "Ka pasur shkurtime edhe në kohën kur ishte PS-ja në pushtet, por unë përmbushja kriteret, të cilat ata i respektuan", thotë gruaja e zhgënjyer nga partia në të cilën militon.

Të njëjtin motiv jep edhe naftëtari Novruz Alliaj, i cili tregon se përveç teserës së Partisë së Ballit Kombëtar ka edhe dëshminë e invaliditetit për dy pjesëtarë të tjerë të familjes. Pothuaj të njëqind naftëtarët e rikthyer në punë pranojnë se arsyeja që shpëtuan është aktivizimi i tyre në politikë. Ky fakt pranohet nëpër korridoret e QPN-së, si dhe të "Albpetrol", por zyrtarisht krerë të kësaj kompanie kanë thënë se: "Kemi parë pretendimet e naftëtarëve të cilëve iu komunikua shkurtimi dhe menduam për një rishikim të listave. Pranojnë se listat u bënë në kohë rekord dhe brenda tyre u përfshinë edhe specialistë. Rishikuam disa grupe e sektorë të ndërmarrjeve dhe vendosëm të rimarrim disa naftëtarë në punë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›