E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania sjell të kërkuarin për vrasje

Ekstradohet nga Gjermania një shqiptar i kërkuar për vrasje. Interpol Tirana ka ekstraduar nga Mynihu drejt Shqipërisë shqiptarin Zaim Nelaj, 27 vjeç, lindur e banues në Sarandë. Sipas policisë, ky person akuzohet për një ngjarje të ndodhur më 29 gusht të vitit 1998. Rreth orës 21.00 të asaj nate, në lokalin e Mehmet Myrtajt, ka shkuar Zaim Nelaj dhe është ulur në një tavolinë me Afrim Isufin. Pasi kanë shkëmbyer fjalë fyese me njëri-tjetrin, i pandehuri i ka kërkuar Isufit të dilnin jashtë dhe të sqaroheshin. Pas disa minutash, njerëzit që ishin brenda në lokal kanë dalë jashtë dhe kanë parë Nelajn në pozicion sulmi, i cili vazhdonte të ofendonte viktimën. Ky i fundit qëndronte i përkulur, pasi ishte goditur me thikë në pjesën e barkut. Menjëherë ka ndërhyrë Leonard Kakaçi dhe i ka marrë thikën nga dora të pandehurit. Me gjithë të shtënat në ajër të një polici, Nelaj ka arritur të largohet, ndërsa Afrim Isufi ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra. Gjykata e Sarandës e ka dënuar Zaim Nelajn me 19 vjet burg për veprën penale të vrasjes me dashje. Ndërkohë, atij i është ulur gjysma e dënimit, kështu që i mbeten për të vuajtur 9 vjet e gjashtë muaj burg.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›