E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria këmbëngul: Sefgjini të rikthehet në "arrest shtëpie"

Prokuroria e Krimeve të Rënda do t‘i kërkojë gjykatës rivendosjen e masës "arrest shtëpie" për të pandehurit e dosjes "Remzi Hoxha": Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi. Dëshmia e Ziso Kristopulit, dhënë para Prokurorisë së Sarandës, i cili pretendon se është dhunuar nga ish-zëvendësdrejtori i Shërbimit Informativ në Tiranë, Arben Sefgjini, do të përdoret nga akuza në Gjykatën e Krimeve të Rënda për të izoluar në katër muret e shtëpisë të pandehurit që dyshohen se kanë rrëmbyer në vitin 1995 biznesmenin shqiptaro-maqedonas. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë akuzës qendrore, sipas të cilës ekzistojnë prova të pakundërshtueshme se katër të pandehurit e dosjes "Hoxha" kanë shkelur ligjin, duke rrëmbyer dhe më pas torturuar tre persona në vitin 1995. "Rrezikshmëria e veprës penale ‘detyroi‘ prokurorin e çështjes të kërkojë rivendosjen e masës shtrënguese ndaj të pandehurve, për rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës", thanë burimet nga akuza qendrore. Më tej sqarojnë se dëshmia e Kristopulit, i cili sqaron se është dhunuar dhe është marrë pa të drejtë nga prona e tij në qytetin e Sarandës, faktojnë një sërë enigmash të dosjes, e cila endej prej më shumë se 13 vitesh në drejtësinë shqiptare.

Prova tjetër e organit të procedimit penal është edhe dëshmia e Avdyl Loshajt, dhënë në dhjetor të 2003-shit para oficerëve të policisë gjyqësore, e cila ka nxitur prokurorin e "Remzi Hoxhës" të dërgojë në bankën e të akuzuarve katër të pandehurit e akuzuar si përgjegjës për rrëmbimin e Avdyl Loshajt, Ziso Kristopuli dhe Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur dhe mendohet se është vrarë. Personat përgjegjës për këto tre rrëmbime janë Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Budjon Meçe dhe Ilir Kumbaro, ky i fundit i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Pas hetimeve dhe në momentin që dosja shkoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, prokurori i çështjes, Xhevat Hana, kërkoi masën e "arrestit shtëpiak" për të pandehurit, masë e cila u aprovua nga gjykatësi i hetimit. Në seancën e hapjes së procesit gjyqësor, Arben Sefgjini, me detyrë drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, i cili u përball për herë të parë me prokurorin e çështjes, Xhevat Hana, në sallën e gjyqit, nuk ngurroi të shfryjë mllefin për rihapjen e dosjes dhe ngritjen e akuzës së rrëmbimit. Prokurori deklaroi se pretendimet e të pandehurit Arben Sefgjini janë të pabaza, pasi edhe në dosjen për gjykim, edhe në kërkesën për caktimin e masës shtrënguese, vepra e ngritur ndaj tij është e sqaruar. "I pandehuri Arben Sefgjini, më datë 22 maj 2003 është arrestuar dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë ‘arrest me burg‘ për rrëmbimin e shtetasit Ziso Kristopuli dhe Remzi Hoxha, ky i fundit i zhdukur prej vitit 1995. Kjo masë sigurie ndaj të pandehurit Sefgjini ka qëndruar në fuqi deri më datë 28 maj 2004, kur me vendim të prokurorisë është pushuar akuza ndaj tij dhe është liruar. Lirimi i tij erdhi edhe pse ndaj tij u ngrit vetëm akuza e ‘shpërdorimit të detyrës‘, vepër kjo e amnistuar me dekret të Presidentit të atëhershëm, Sali Berisha. Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2003 është marrë në pyetje në Holandë shtetasi Avdyl Loshaj, i cili i ka dëshmuar të gjitha, që nga momenti i rrëmbimit, torturave të ushtruara ndaj tij e deri te ikja nga qendra e SHIK-ut në Vajin të Lezhës. Pas marrjes së kësaj dëshmie, në maj të 2006-ës, me vendim të prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, është urdhëruar rifillimi i hetimeve për rrëmbimin e shtetasit Avdyl Loshaj dhe ushtrimit të torturës së rëndë ndaj tij. Nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Arben Sefgjini këtë vepër e ka konsumuar në bashkëpunim edhe me dy herë të tjerë, në rrëmbimin e Ziso Kristopulit dhe Remzi Hoxhës, i cili mendohet se është vrarë dhe zhdukur", thuhet në dosjen e prokurorisë. Sefgjini gjatë fjalës së tij pretendonte para gjykatës se akuza e ngritur nga prokurori Xhevat Hana është hetuar një herë dhe ka një vendim pushimi për këtë çështje. Vendimi i masës së sigurisë u animua në Gjykatën e Apelit, e cila riktheu verifikimin e masës në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, pasi gjykatësi i hetimit nuk mund të japë masë shtrënguese në momentin që dosja penale në ngarkim të katër të pandehurve ka shkuar për gjykim në atë gjykatë. Gjithashtu, Apeli vendosi lirimin e Sefgjinit dhe Koldashit deri në një vendim tjetër të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Por Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se ka prova të pakundërshtueshme për fajësinë e ish-drejtuesve të SHIK-ut të Tiranës në vitin 1995 për rrëmbimin e tri personave dhe do t‘i kërkojë gjykatës rivendosjen e masës shtrënguese ndaj tyre.

Rrëmbimi

Prokuroria: Prova më e fortë, dëshmia e Avdyl Loshajt në vitin 2003

Dosja ndaj tre ish-shikasve

Rrëmbimi i Hoxhës dhe Loshajt

Ish-drejtuesit e Shërbimit Informativ në Shqipëri janë përgjegjësit kryesorë për rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës. "Të katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vajin të rrethit Lezhë. Aty janë torturuar për disa ditë, nga ku ka gjetur vdekjen shtetasi Remzi Hoxha", thuhet në kërkesën e prokurorisë. Sipas saj, Remzi Hoxha është rrëmbyer më datën 21 tetor 1995, rreth orës 13:30, afër firmës "Albatros", që prodhonte konstruksione duralumini. Nga verifikimet e bëra rezulton se një ndër automjetet që është përdorur në këtë ngjarje, me targë TR2449C, i takonte SHIK-ut dhe kjo makinë është tërhequr nga shefi i prapavijës së SHIK-ut të Tiranës, Nuredin Dervishi. Më pas i është dorëzuar ish-drejtorit të SHIK-ut në Tiranë, Mehmet Haxholli. Konfirmohet se në këtë operacion ka marrë pjesë edhe ish-shefi i bazës nr.10 të vëzhgimit, Avni Koldashi, i cili më pas e ka dorëzuar te një grup oficerësh operativë, ku ndër më kryesorët kanë qenë Ilir Kumbaro dhe Arben Sefgjini, përkatësisht kryetar dege dhe zv/drejtor në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë. Viktima rezulton të jetë çuar në një bazë sekrete në Vajin të Lezhës, ku është trajtuar barbarisht dhe nga torturat ka vdekur. Me gjithë kërkimet intensive dhe të shtrira në kohë, nuk është bërë e mundur gjetja e vendit ku është varrosur. Rrëmbimi i Remzi Hoxhës është bërë njëherësh me rrëmbimet e Armando Lozhaj, me profesion telekronist dhe Ziso Kristopuli, me profesion zooteknik, në kohën e ngjarjes ish-kryetar i PS-së në zonën e Ksamilit.

Ndërkohë, ligji "Për amnistinë" e detyroi prokurorinë që të riklasifikonte veprat penale për të cilat akuzoheshin ish-shikasit. Akuzat e reja ishin "rrëmbim personi", parashikuar nga neni 109 i Kodit Penal, "torturës me pasoja të rënda", parashikuar nga neni 87 i Kodit Penal dhe "vrasjes", parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal. Të treja këto vepra penale nuk janë amnistuar nga ligji nr.8202, por gjatë hetimit për të provuar këto akuza prokuroria ndeshi në probleme të tjera. Në raport nuk vihet në dyshim fakti që vrasja e Remzi Hoxhës ka ndodhur, por për sa kohë nuk është gjetur kufoma e viktimës dhe nuk është bërë ekspertiza shkencore, një akuzë e tillë nuk mund të provohet. Akuza e torturës ndaj Ziso Kristopulit dhe Avdyl Loshajt u provua. Megjithatë, pas diskutimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, çështja u ridërgua për gjykim, ku tashmë është kërkuar edhe masa e arrestit shtëpiak për tre të dyshuarit.

Dy ditë më parë

Shtyhet dy javë procesi "Hoxha"

Procesi ndaj katër ish-zyrtarëve të Shërbimit Informativ Kombëtar, që janë akuzuar për rrëmbimin dhe më pas torturimin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, ka ngecur për shkak të një boshllëku ligjor. Një prej të pandehurve, Budjon Meçe, ndodhet në gjendje të rëndë në spital, në koma, dhe për rrjedhojë nuk mund të konfirmojë se ka marrë dijeni për nisjen e procesit. Ligji parashikon se në rastet kur personi është prezent, ai duhet të konfirmojë personalisht dijeninë për procesin, por asgjë nuk thuhet për rastet kur personi është i pavetëdijshëm, siç është edhe rasti i Meçes. Për këtë arsye, trupi gjykues është detyruar që ta shtyjë zhvillimin e seancës së ardhshme me dy javë, me shpresën se gjatë kësaj periudhe i pandehuri do të mund të përmirësohet, duke dalë nga gjendja e komës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›