Londër, burgoset shqiptari që përdhunoi dadon e së bijës
Një emigrant shqiptar është dënuar me nëntë vjet burg për përdhunimin e dados polake në prezencë të së bijës 18-muajshe, e cila ka nisur të qajë, kur i ati po kryente krimin çnjerëzor. Kreshik Disha u shpall fajtor në Gjykatën Qendrore të Krimeve të Rënda "Old Bailey" në Londër, për përdhunimin e shtetases me inicialet M. M., ngjarje e ndodhur më 5 gusht 2007. "Ky ishte një krim tejet serioz, pasi ju kishit detyrim ta mbronit viktimën, të cilën bashkë me të fejuarin e saj e kishit punësuar. Ky krim merr trajta akoma më serioze, që e rëndojnë pozitën tuaj, pasi u ndërmor në prezencën e vajzës, Kamila, e cila ishte vetëm 18-muajshe", ka thënë gjykatësi. Ai shtoi se viktima ende vazhdon të jetë e tmerruar, si pasojë e përdhunimit. Gjatë procesit gjyqësor, Kreshnik Disha, pronar i një lavazhi makinash në zonën Dagenham, në lindje të Londrës, ka deklaruar se është i pafajshëm dhe se dadoja "kishte kohë që flirtonte me të dhe se marrëdhënia seksuale u krye me dëshirën e saj". Sipas aktakuzës, viktima e përdhunimit bashkë me të fejuarin, ishin punësuar në lavazhin e Kreshnik Dishës që në korrik të vitit 2007. Më 5 gusht 2007, ata kishin nisur punën të dy, që në ora 08.00 të mëngjesit. Polakja M.M. e kishte njërën dorë në allçi, pasi e kishte thyer një ditë më parë. Rreth orës 11.00, Disha i thotë të dëmtuarës nëse mund të shëtiste në park të bijën që ishte vetëm 18-muajshe. Ajo e bëri një gjë të tillë, duke u kthyer pas dy orësh, ndërkohë që Disha ishte i zënë me punë, i kërkon të ngjitet sipër në shtëpi dhe të vazhdojë të kujdeset për vajzën. Më pas, ai ka kryer edhe aktin e dhunshëm seksual.