E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritikat e "AI" për burgjet, Dibra: Jemi përmirësuar

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, e ka quajtur dje raportin e Amnesty International si të "vjetër" në kohë. "Raporti i referohet praktikës së ekzistuar në vitin 2006, e më parë. Me kalimin e sistemit të paraburgimit nga vitit 2007 në përgjegjësi të Ministrisë së Drejtësisë gjendja e trajtimit të të paraburgosurve ka ndryshuar ndjeshëm dhe deri më sot nuk disponohen të dhëna se të paraburgosurit që ndodhen në institucionet e paraburgimit në varësi të Ministrisë të keqtrajtohen", ka deklaruar Dibra, duke "përgënjeshtruar" ndërkombëtarët. Kryegardiani e ka filluar konferencën për shtyp duke kujtuar kritikat e "AI"-së për sistemin e paraburgimit në përgjithësi. "Dy ditë më parë, "Amnesty International" publikoi raportin e tij vjetor mbi të drejtat e njeriut në të gjithë botën. Në raport thuhet se kushtet e të burgosurve në Shqipëri mbeten të dobëta për shkak të mbipopullimit të burgjeve, higjienës së dobët dhe mungesës së kujdesit shëndetësor. Raporti, (siç citohet në të), u referohet informacioneve që Komiteti i Parandalimit të Torturës i Këshillit të Evropës ka marrë gjatë vizitës që ka kryer në Shqipëri në mars të vitit 2006. Ai kritikon kushtet në paraburgimin e Durrësit dhe Fierit dhe dy stacione police në Tiranë, kritikon mbipopullimin në paraburgimin e Vlorës, si dhe shprehet se ka njoftime për keqtrajtimin e të ndaluarve nga policia", pohoi Dibra, duke shtuar se raporti i referohet kohës që ai nuk ka qenë drejtor i burgjeve. Në vijim të konferencës, Dibra sqaron pikë më pikë të gjitha kritikat e ndërkombëtarëve. "Gjendja në paraburgimin e Durrësit ka shkuar drejt përmirësimit, ndërsa të paraburgosurit që ndodheshin në paraburgimin e Fierit janë vendosur në IEVP Rrogozhinë, në kushte më të mira trajtimi. Ndërtimi së shpejti i një qendre të re të paraburgimit në Durrës dhe ngritja e një institucioni psikiatrik mjekësor për trajtimin e personave me çrregullime mendore të proceduar penalisht do të përmirësojë edhe më kujdesin shëndetësor ndaj tyre. Nuk mund të flasim më për kushte të këqija në paraburgimin e Vlorës. Që nga muaji shkurt i këtij viti, ashtu edhe siç edhe jeni në dijeni është vënë në funksion një qendër e re paraburgimi me kushte nga më modernet", shtoi Gazmend Dibra, duke u kujtuar të gjithë shqiptarëve se brenda qershorit do të nisë të funksionojë burgu i Fushë-Krujës dhe më pas ai i Korçës. Pra, do të ketë mjaft ambiente të reja për shqiptarët që të kalojnë kohën e vuajtjes së dënimit sipas standardeve bashkëkohore. "Deri më sot janë siguruar fondet për ndërtimin e paraburgimeve në qarqet Fier, Shkodër dhe Elbasan. Në nëntor përfundon puna për ndërtimin dhe pajisjen e qendrës për trajtimin e personave të mitur të dënuar me burgim në Kavajë. Këtyre investimeve u shtohen ndryshimet e reja ligjore për zbatimin e dënimeve alternative, të cilat do të lehtësojnë edhe më situatën e mbipopullimit në burgje", vijoi më tej kryegardiani. Në konferencën e zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, drejtori i Burgjeve përmendi edhe problemin e Burgut të Burrelit, ku disa të dënuar mundën të largoheshin nga vendi i vuajtjes së dënimit dhe falë angazhimit të strukturave policore u bë i mundur arrestimi i tyre brenda kohës prej 30 minutash. "Për sa i takon situatës së krijuar në Burgun e Burrelit pas tentativës së arratisjes së dy të burgosurve dhe disa kushteve jo të mira të strehimit të të burgosurve në paraburgimin e Korçës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë masat sipas ligjit", deklaron Dibra, pa përmendur detaje. Sipas tij, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve synon parandalimin e rasteve të keqtrajtimit ndaj të burgosurve, si dhe do të vazhdojë të mos tolerojë në asnjë rast përdorimin e forcës në burgje kur ajo kapërcen kufijtë e lejuar nga ligji.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›