E Diel, 1 Nëntor 2026

Kasat fiskale, kostoja dhe vështirësitë teknike dështojnë projektin e qeverisë

Subjektet e biznesit ulen në bisedime me Financat për të negociuar kushte të reja

Ervin KOÇI

Mund të konsiderohet si i dështuar projekti primar i Ministrisë së Financave për instalimin e kasave fiskale tek subjektet e biznesit të madh, i cili kishte si afat final fundin e muajit maj. Por me gjithë këmbënguljen dhe insistimin e ministrisë për ta përfunduar në kohë këtë projekt, ai ka dështuar pasi subjektet private nuk kanë pranuar kushtet e qeverisë. Kostoja e instalimit të këtyre kasave, ajo e blerjes, si dhe të gjitha procedurat e tjera teknike, kanë qenë shkaku kryesor që ta zvarritur dhe bllokuar këtë proces. Subjektet e biznesit “VIP” në vend, janë bashkuar në qëndrimin e tyre për të mos e pranuar instalimin e kasave në kushtet e servirura nga Ministria e Financave, që ndër të tjera i shtonte shumë kostot dhe hangarit biznesit. Të parat që e kanë kundërshtuar këtë projekt, por dhe që kanë kërkuar uljen në bisedime me Financat kanë qenë shoqëritë e karburanteve, që tregtojnë në pikat e pakicës. Ato janë ankuar se nuk mund ta plotësojnë brenda afatit detyrimin ligjor për vendosjen e kasës fiskale. Shkak është vështirësia teknike, por edhe kostoja, e cila arrin deri në 3 mijë euro për pajisje. Për këtë arsye, gjatë ditëve të fundit, ka pasur një sërë takimesh mes Shoqatës së Hidrokarbureve dhe Ministrisë së Financave për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Por deri tani mësohet se akoma nuk është gjetur rruga e mesme, pasi ministria ka paraqitur një mori kushtesh ndër të cilat edhe atë që makinat që nuk paguajnë taksat e qarkullimit të mos kenë të drejtë të furnizohen me karburant.

Skadimi i afatit

Afati i fundit për instalimin e kasave fiskale te subjektet e bizneseve të mëdha është data 31 maj 2009. Më pas sipas vendimit të Ministrisë së Financave, autoritet tatimore duhet të aplikojnë gjoba të rënda në rast se nuk zbatohet ligji. Por kompanitë e bizneseve “VIP” e kanë kundërshtuar këtë praktikë dhe kanë kërkuar shtyrjen e këtij afati deri sa të përfundojnë negociatat me Financat dhe të gjendet një rrugëzgjidhje. Mësohet se takime janë zhvilluar edhe me pesë shoqëritë përgjegjëse për shpërndarjen e kasave fiskale, por ende nuk është gjetur një zgjidhje konkrete. Pak ditë më parë, përfaqësuesit e bizneseve shprehën shqetësimin që sipas tyre, kasat fiskale kanë kosto të lartë, sidomos për biznesin e vogël, por edhe për ato subjekte që kanë disa pika. Reagimi i Ministrisë së Financave në të gjithë këtë çështje ka qenë i shpejtë dhe pritet dalja e një udhëzimi, nga ku parashikohen lehtësi. Aktualisht në treg veprojnë rreth 152 subjekte të shitjes me pakicë të naftës dhe gazit, pa përmendur këtu kompanitë e tjera të cilat që të gjitha duhet të pajiseshin me kasa fiskale deri më datën 31 maj.

Biznesi

Vendosja e kasave fiskale duket se nuk do të jetë një proces i thjeshtë për qeverinë, aq më tepër që përkon me situatën e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare. Në tërësi biznesi nuk është kundër kasave, por ata kërkojë garanci, që ky proces të jetë i fundit, dhe të mos ndodhë si më parë, ku kasat u paguan shumë herë, por nuk u përdorën asnjëherë. Më të prekurit në këtë proces janë subjektet e mëdha, ose “VIP” siç quhen ndryshe, për faktin se kanë afat më të reduktuar se kategoritë e tjera (bizneset e vogla). Gjobat që ligji parashikon në rast se shkelen afatet për instalimin e kasave fiskale shkojnë deri në 100 mijë lekë. Shkaku i mosplotësimit të afateve lidhet me koston, por edhe me çështje teknike. Ka shumë subjekte të hidrokarbureve që kanë më shumë se 10 pika shitjeje me pakicë, për pasojë, kostoja del tepër e lartë nëse llogaritet një kasë rreth 3 mijë euro. Megjithatë, më shumë problem shikohet instalimi i pajisjes fiskale, e cila kërkon kthimin e pompës, në makinerinë e karburantit, në kushte elektronike, krejt të reja, të përshtatshme me kasën. Ky proces kërkon kohë dhe shoqërohet me kosto shtesë, aq sa detyron shoqëritë e hidrokarbureve që t‘i kërkojnë Ministrisë së Financave shtyrjen e afatit. Një zgjidhje mendohet të jetë nënshkrimi i kontratës me një nga pesë distributorët, brenda datës 31 maj, kur pajisja mund të vendoset më pas, sipas një klauzole që do të përcaktojë formën e procesit.

28 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›