E Diel, 1 Nëntor 2026

"Albtelekom", nis kompensimi i pronarëve

Qeveria i ka hapur rrugë zyrtarisht procesit të privatizimit të aksioneve të mbetura për Albtelekomin. Pas shitjes së 76 për qind të aksioneve te turqit e "Calik" dhe një pjesë tjetër te punonjësit e kompanisë, aksionet e mbetura do të shkojnë për pronarët. Këta të fundit do të kenë afat deri në datën 25 të muajit të ardhshëm për të dorëzuar dokumentet përkatëse pranë Ministrisë së Financave, në Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike. Në dokumentacionin e tyre, pronarët duhet të paraqesin pranë Ministrisë së Financave kërkesën me shkrim për zotërim aksionesh në kapitalin e "Albtelekom"-it. Burime nga Ministria e Financave thonë se numri i aksioneve që do të përfitojë secili nga pronarët do të dalë në bazë të sipërfaqes së truallit që atyre u është njohur nga Komisioni i Kthimit të Pronave. Pronarët duhet të dërgojnë në dokumentacionin e tyre edhe një vërtetim nga Zyra Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ku të konfirmohet se për sipërfaqen e truallit, ish- pronë e tij, që ish-pronari kërkon të kompensohet me aksione në shoqërinë "Albtelekom" sh.a. Tiranë, nuk është kompensuar më parë me një nga format që njeh ligji.

"Albtelekom"

"Albtelekom" ka një vlerë të kapitalit themeltar prej 150 miliardë lekësh, i cili është i ndarë në 15 milionë aksione. Nga këto, 76 për qind e tyre tashmë janë nën pronësi të "Calik Enerjy", si pasojë e privatizimit që qeveria zhvilloi vitin e kaluar. Pjesa tjetër, prej 24 për qind, ose e thënë në vlerë gati 4.6 milionë aksione, do t‘u shpërndahet punonjësve të ndërmarrjes dhe ish-pronarëve për kompensim. Formula ende nuk është e qartë. Aktualisht procedurat për privatizimin e paketës së aksioneve që u takon punonjësve janë drejt përfundimit. Megjithëse këta të fundit i kanë mbyllur bonot e thesari për të marrë pjesë në privatizim, në bazë të kritereve të përcaktuara, qeveria ende nuk e ka përcaktuar pjesën e aksioneve që do të përfitojnë ata. "Edhe për punonjësit, edhe për ish-pronarët, pjesa e aksioneve që u takon do të dalë pas llogaritjeve. Formulat tashmë janë të përcaktuara. Ish-pronarët do të përfitojnë aksione në bazë të truallit që ata disponojnë", thotë Urim Mujo, nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike.

Kompensimi

Sipas përllogaritjeve të bëra nga Ministria e Ekonomisë, rezultojnë më shumë se 64187 metra katrorë truall mbi të cilin janë ngritur ndërtesat ose objekte të tjera të "Albtelekom"-it. Qeveria ende nuk e di se sa do të jetë numri i pronarëve që do të përfitojnë nga privatizimi i aksioneve të "Albtelekom"-it, për rrjedhojë nuk ka edhe një llogaritje të saktë se nga sa aksione do të marrë secili prej tyre. "Albtelekom" kthehet kështu si shoqëria e parë e madhe që ka qenë në pronësi të shtetit, në procesin e privatizimit të së cilës marrin pjesë edhe pronarët. Procesi i dorëzimit të dokumentacionit pranë Ministrisë së Financave ka nisur tri ditë më parë dhe përfundon në datën 25 të muajit të ardhshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›