E Diel, 1 Nëntor 2026

Një mijë hektarë për 1 euro

Nisma "Shqipëria 1 euro" shtrihet në bujqësi. Këtë radhë me çmimin simbolik prej 1 euro do të shiten sipërfaqe të tëra tokash bujqësore. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit njoftoi se do të japë me koncesion plot 1 mijë hektarë tokë bujqësore në rrethin e Kavajës. Bëhet fjalë për toka të refuzuara dhe për ato sipërfaqe që konsiderohen si joproduktive. Ministria do të zhvillojë një tender për dhënien me koncesion të kësaj sipërfaqeje toke, ku kriteri kryesor dhe i patjetërsueshëm është ai që ajo të përdoret për kultivimin e ullirit. Ministria e Bujqësisë ka ftuar subjektet private që të marrin pjesë në tenderin që do të zhvillohet për dhënien me koncesion të kësaj sipërfaqeje. Subjektet do të paguajnë për tokën vetëm 1 euro. "Objekti i kontratës është dhënia me koncesion e sipërfaqes së tokës deri në 1000 ha për kultivimin e ullirit në Komunat Synej, Luz i Vogël, Kryevidh dhe Gosë", thuhet në njoftimin e ministrisë. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 18 gusht i këtij viti, datë në të cilën do të zhvillohet edhe konkursi. Sigurimi i ofertës, që është në shumën prej 2% të vlerës së projektit do të dorëzohet së bashku me ofertën. Pak muaj më parë, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për t‘i dhënë Ministrisë së Bujqësisë kompetencën që të japë me koncesion prej 1 euro këtë sipërfaqe toke, e cila do të përdoret e gjitha për mbjelljen e ullirit. Paralelisht me këtë qeveria ka miratuar edhe bonusin prej 9 për qind të pikëve të tenderit, që i jepet shoqërisë "Agrotal-1", me qendër në Tiranë, për shkak se kjo e fundit ka paraqitur e para projektin me studimet përkatëse për shfrytëzimin e kësaj zone.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›