E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në naftë, 30 punëtorë në grevë urie

Ashpërsohet protesta e naftëtarëve të kompanisë "Albpetrol", të cilët kundërshtojnë reformën në sektorin e naftës. Në Vllahinë të Vlorës, 30 naftëtarë, të cilët kanë mbetur pa punë për shkak të reformës, kanë hyrë në një grevë urie. Këta punonjës të Ndërmarrjes së Prodhimit Vllahinë-Gorrisht kanë vënë rikthimin në punë si kusht të vetëm për daljen nga greva. Ndërkohë, në qindra naftëtarë janë mbledhur dje në mëngjes përpara selisë së kompanisë "Albpetrol" dhe nuk kanë lejuar asnjë nga nëpunësit e administratës që të hyjë në zyrë. Grupi i protestuesve ishte i madh. Ata vinin nga të gjitha ndërmarrjet e prodhimit të naftës, që janë në varësi të kompanisë "Albpetrol". Protestuesit nuk e kishin paralajmëruar bllokimin selisë së kompanisë dje, e megjithatë dhjetëra forca policie ishin në gatishmëri në afërsi të kësaj godine. Nga posta e policisë në Patos mësohet se të gjithë efektivët e kësaj poste, të mbështetur dhe nga kolegë që vinin prej Komisariatit të Policisë së Fierit kanë nisur shërbimin e tyre në orën 05:00 të mëngjesit, me qëllim kontroll të situatës dhe mosdegjenerim të saj. Pavarësisht pranisë së policisë, naftëtarët janë mbledhur dhe kanë vijuar protestën e tyre për shumë orë, duke mos lejuar asnjë nga drejtorët dhe nëpunësit e administratës që të hyjë në mjediset e kompanisë "Albpetrol". Policia ka ndërhyrë që të lejonte drejtuesit, por ka qenë e pamundur, pasi naftëtarët kishin shtrënguar radhët e tyre. Rreth orës 11:00, protestuesit u janë drejtuar qendrave të tyre të punës dhe mësohet se kanë qëndruar atje deri në orët e pasdites. Me anën e një peticioni drejtuar jo vetëm drejtuesve të kompanisë, por edhe qeverisë dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genci Ruli, naftëtarët kanë kërkuar rikthim të listave të reformës, rishikim të tyre dhe mbrojtje të statusit të naftëtarit. Peticioni është firmosur nga të 610 punonjësit e shkurtuar deri tani. Krerët e "Albpetrolit" nuk kanë pranuar të bisedojnë me protestuesit. Ata, me anën e një deklarate për shtyp, janë shprehur se "reforma do të zbatohet, pasi është një kusht i vendosur për shkak të procesit të privatizimit, që do të përfshijë këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›