Ligji për buxhetin, Kuvendi shtyn votimin
Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat është kthyer në "stres" për institucionet shtetërore, të cilat përgatisin projektligjet dhe qëndrojnë me muaj në pritje për miratimin e tyre. Në shumë raste, Komisioni i përhershëm i Ekonomisë anulon mbledhjet, me faktin se mungojnë deputetët, duke i shtyrë ato me javë të tëra. Anulimi rresht i projektligjeve detyron përfaqësueset e ministrive të rikthehen për disa herë në komision, duke u shkaktuar dhe probleme me mbarëvajtjen e punëve të tyre. Për këtë arsye, kryetari i komisionit, Edmond Spaho, është ankuar për disiplinën e dobët që paraqesin deputetët, duke bërë presion për shkrirje të komisionit. Këtë situatë është duke e vuajtur Ministria e Financave, e cila ka sjellë për miratim projektligjin më të rëndësishëm për financat e shtetit: menaxhimi i sistemit buxhetor. Ligji i parashikuar për t‘u miratuar dje nen për nen u shty, pasi në sallë mungonin 10 deputetë, nga 15 gjithsej.