Spitalla e Durrësit, zonë industriale
Zona e Spitallës në Durrës do të kthehet përfundimisht në "park industrial", me qëllim zhvillimin e sektorit privat vendas e të huaj. Sipërfaqja e zonës së re ekonomike është 850 hektar. Mësohet se, në këtë zonë do të zhvillohen veprimtari prodhuese, industriale dhe agropërpunimi, si dhe tregtare e shërbimesh. Periudha e funksionimit të parkut industrial do të jetë 35 vjet, ndërsa zonat do të jepet me koncesion sipas ligjit të miratuar vitin e kaluar. Operatorët privatë që do të zhvillojnë aktivitetin ekonomik brenda zonës ekonomike e që plotësojnë kriteret e përcaktuara në dispozitat e Kodit Doganor, do t‘u jepet statusi i i magazinës doganore, pra do përjashtohen nga disa taksa doganore, gjithnjë brenda zonës të shpallur park industrial. Po ashtu, për shoqëritë private, brenda një muaji nga fillimi i aktivitetit në zonën ekonomike do t‘u bëhet rimbursimi i TVSH-së.