E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Albtelekom", nis shpërndarja e aksioneve për pronarët e truallit

Agjencia Kombëtare e Privatizimit, në varësi të Ministrisë së Financave, ka nisur që prej tri ditësh procesin e kompensimit për ish-pronarët e truallit ku janë ngritur ndërtesat e rrjetit të "Albtelekom". Pas përfundimit të procesit për shpërndarjen e aksioneve për punonjësit aktualë dhe për ata që janë larguar nga shoqëria e telefonisë fikse, tashmë radha u takon ish-pronarëve. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Privatizimit, Urim Muja, ka shpjeguar për gazetën "Shqip" të gjithë etapën që duhet të ndjekë kategoria e ish-pronarëve. Procesi i likuidimit të tyre me aksione në varësi të vlerës së tokës ka nisur që në datën 26 maj dhe përfundon më 25 qershor të po këtij viti. Brenda kësaj periudhe, ish-pronarët e truallit ku janë ndërtuar objektet në varësi të "Albtelekom"-it duhet të paraqesin dokumentacionin e plotë, në mënyrë që të bëhet i saktë verifikimi i pronësisë. Shoqëria e telefonisë fikse zotëron rreth 64 mijë metra katrorë me ndërtesa në varësi të saj në të gjithë territorin, por jo gjitha u takon ish-pronarëve. Diferenca e mbetur do të kalojë sërish për ankand, ku mendohet se do të përfitojnë subjektet private.

Shpronësimi

Në bazë të vendimit të qeverisë do të bëhet përllogaritja e aksioneve që do të marrin pronarët, në varësi të sipërfaqes së truallit që zotërojnë. "Ish-pronarët duhet të paraqiten pranë zyrave tona me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, mbi bazën e të cilave do të bëhet verifikimi e më pas përllogaritja e vlerësimit të aksioneve që do të marrin në shkëmbim të tokës", thotë kreu i Agjencisë Kombëtare të Privatizimeve, Urim Muja. Për sa u takon dokumenteve që duhet të plotësojnë, Muja sqaron se ish-pronarët e këtyre trojeve, ku "Albtelekom" ka ngritur ndërtesat, duhet të paraqesin kërkesën me shkrim për zotërim aksionesh në kapitalin e shoqërisë që privatizohet, në pjesëtim me vlerën e truallit që atij i njihet nga vendimi përkatës i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Më tej, atyre u kërkohet të paraqesin vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronarëve, së bashku me gentplanin e hartuar nga ky komision, duke përfshirë dhe dëshminë e trashëgimisë dhe prokurën e përfaqësimit. Një tjetër dokument, po aq i rëndësishëm për t‘u dorëzuar në Agjencinë e Privatizimeve, Tiranë, është dhe paraqitja e një vërtetimi nga Zyra Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ku do të konfirmohet se për sipërfaqen e truallit ish-pronë e tij, që ish-pronari kërkon të kompensohet me aksione në shoqërinë "Albtelekom" sh.a. Tiranë, nuk është kompensuar më parë me një nga format që njeh ligji.

Shoqëria telefonike

Paketa e aksioneve, punonjësit zotërojnë 3,1%

Qeverisë shqiptare i kanë mbetur 24 për qind aksione të shoqërisë telefonike "Albtelekom", ndërsa pjesa e mbetur i është shitur kompanisë turke "Çalik&Turk Telekom", me vlerë rreth 140 milionë dollarë. Nga 24 për qind e aksioneve të mbetura, qeveria parashikon të përmbushë detyrimet ndaj punonjësve të shoqërisë dhe pronarëve të truallit, të cilët në bazë të ligjit për privatizimin kanë të drejtë të bëhen pronarë të shoqërisë nëpërmjet aksioneve. Këto të fundit shpërndahen në varësi të kategorisë. Kështu, punonjësit aktualë, ish-punonjësit dhe familjet e tyre kanë marrë aksione në varësi të bonove të privatizimit (letra me vlerë), të shpërndara në vitin 1994 nga qeveria për punonjësit e ndërmarrjeve shtetërore. Kjo kategori e ka përfunduar ciklin një muaj më parë, duke zotëruar një paketë aksionesh në "Albtelekom", rreth 3,1 për qind ose rreth 7000 aksione si numër. Vlera e një aksioni është 1 mijë lekë të reja. Tashmë kanë mbetur pronarët e truallit për t‘u kompensuar, proces i cili ka nisur këtë javë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›