Funksionet jo operacionale në polici mbeten pa grada
Punonjësit e Policisë së Shtetit, që nuk kanë funksione operacionale, nuk do të pajisen me grada. Ky është vendimi i fundit i eprorëve të Policisë së Shtetit, por ende nuk është marrë miratimi përfundimtar. Ky sistem i ri do të prekë shumë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pa lënë mënjanë as drejtoritë e saj në qarqe. Specialistët e këtij organi bënë të ditur se një propozim i tillë është bërë për të minimizuar gradat e larta në Policinë e Shtetit edhe për shkak të pagave sipas sistemit të ri. Sipas të dhënave, pak kohë më parë, Drejtoria e Personelit është ngarkuar me këtë detyrë, e cila ka bërë një propozim të tillë, duke menduar që punonjësit e policisë, të cilët nuk kanë funksione operacionale, mos të përfitojnë gradë, e për shkak të saj edhe pagat e tyre nuk do të jepen sipas gradave për funksion. Burimet thanë për "Shqip" se për këta persona mund të përdoret sistemi i pagave sipas ligjeve në fuqi për administratën. Pra, me njësimin e funksioneve do të jetë edhe paga e punonjësve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pavarësisht se ata janë organ më vete. Ndërkohë, një nga strukturat që do të preket nga ky ndryshim mendohet të jetë Drejtoria e Teknologjisë dhe Informacionit. Por kjo nuk është e vetmja drejtori, pasi ndryshime pritet të ketë edhe në Drejtorinë e Personelit, të Marrëdhënieve me Jashtë e shumë drejtori e sektorë të tjerë. Megjithatë, specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bënë të ditur se ky argument nuk do të ndiqet për të gjithë punonjësit në sektorë apo drejtori të tilla. Ndërkohë, policia shpjegoi se kjo procedurë është vendosur të ndiqet për arsye se këta persona, që nuk do të paguhen sipas sistemit të ri të gradave, nuk marrin pjesë direkt në detyrat e përcaktuara qartë për një punonjës policie. Por, kjo mendohet se do të sjellë ndryshime në pagën e tyre, pavarësisht se me sistemin e gradave kishin paga të ndryshme, që ishin përllogaritur nga specialistët dhe janë miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Ky ndryshim pritet të sjellë edhe reagime në radhët e punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilët nuk mund të përfitojnë pagë sipas gradës që kanë aktualisht me sistemin e ri. Tashmë, po afron edhe implementimi i gradave të reja, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave. Pikërisht muaji qershor është edhe muaji ku do të implementohen gradat e reja, të cilat janë përcaktuar pas miratimit të strukturës së re dhe ligjit të ri të Policisë së Shtetit.