E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngecin investimet, realizohen vetëm 9.8%

Qeveria është treguar e ngathët dhe nuk po ia del dot mbanë të menaxhojë rritjen e të ardhurave në buxhet për të bërë më pas më shumë investime publike. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, për katër muajt e parë të vitit janë realizuar vetëm 59 për qind e investimeve publike të parashikuara. Ndonëse kjo shifër është më e madhe se një vit më parë, krahasuar me planin, ajo është dukshëm më e ulët, pasi qeveria kishte parashikuar që investimet për këtë periudhë të ishin 17.4 miliardë, kur ka realizuar vetëm 10.3 miliardë prej tyre. Shifra mund të ishte edhe më e ulët se kaq, por në muajin prill qeveria ka disbursuar një pjesë të konsiderueshme të kredisë së marrë nga dy bankat greke për financimin e rrugës Durrës-Kukës, konkretisht segmentin Rrëshen-Kalimash. Sipas të dhënave, gjatë muajit prill janë disbursuar plot 6.4 miliardë lekë financime të huaja, prej të cilave 4.9 miliardë kanë shkuar për rrugën e Kosovës. Por sërish janë investimet në infrastrukturë që kanë nivelin më të ulët të realizimit.

Realizimet

Por shqetësimi kryesor mbetet ai nëse qeveria do të mund të realizojë shifrën e lartë të investimeve që janë planifikuar për 2008-ën. Në buxhet, zëri i investimeve është planifikuar 105.5 miliardë lekë. Qeveria ka disbursuar për katër muajt e parë të vitit vetëm 9.8 për qind të tyre. Në muajt e mbetur të vitit mbeten për t‘u kryer plot 95 miliardë lekë të tjera, ose 9 herë më shumë nga sa janë realizuar për 4 muajt e parë. Tashmë, skenarët që shtrihen përpara janë vetëm dy. Ose investimet do vazhdojnë me këtë ritëm, ose qeveria do të përshpejtojë disbursimin e fondeve. Në muajt e mbetur të vitit i bie mesatarisht që nga arka e buxhetit të disbursohen plot 12 miliardë lekë në muaj për të realizuar 100 për qind planin e investimeve. Shifra prej 12 miliardë lekësh në muaj është 20 për qind më e madhe se totali i investimeve që qeveria ka realizuar për katër muajt e parë të vitit të marra së bashku.

Inflacioni

Përshpejtimi i realizimit të investimeve, nëse do të ndodhë, ngre një tjetër problem, atë që Banka e Shqipërisë gjithmonë ia kujton qeverisë. Përqendrimi i investimeve në pak muaj mund të përkeqësojë më tej inflacionin. Sakaq, është në nivelet më të larta të viteve të fundit, si pasojë e sasisë së madhe të parave që hidhen në treg. Vitin e kaluar qeveria u detyrua që për të kryer shpenzimet e parashikuara në buxhet, të disbursojë vetëm në muajin dhjetor mbi 24 miliardë, ose më shumë se 40 për qind të investimeve vjetore, çka ngriti pikëpyetje mbi cilësinë e këtyre investimeve. Për këtë vit shuma është më e larta e parashikuar ndonjëherë në Shqipëri, çka shtron një test të fortë për qeverinë, nëse ajo do të arrijë apo jo t‘i shpenzojë me eficencë dhe në afatet e caktuara këto fonde, apo do ta bëjë këtë thjesht për statistikë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›