"Pranvera" arrestoi 137 persona të kërkuar
Operacioni "Pranvera" ka vënë në pranga 137 persona të shpallur në kërkim për dy muaj. Në zbatim të operacionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë "për parandalimin e veprave penale me përdorimin e armëve të zjarrit", nga ana e drejtorive në qarqe janë hartuar planet e masave me detyra të detajuara, të cilat kanë arritur disa rezultate. Gjatë periudhës 19 mars 2008 deri në 20 maj 2008, në zbatim të operacionit "Pranvera", nga ana e Drejtorive të Policisë në Qarqe është bërë e mundur kapja e 137 personave të shpallur në kërkim, nga të cilët 9 persona të shpallur në kërkim për veprën penale të vrasjes. Gjithashtu, është mundësuar arrestimi në flagrancë për armëmbajtje pa leje për 46 persona. Policia e Shtetit deklaroi se pas veprimeve hetimore të kryera janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 32 pistoleta, 43 automatikë, 14 pushkë, katër armë gjahu, 18 predha granatë-hedhëse, 22940 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 52 granata, si dhe dy kallëpe tritoli së bashku me fitilat zjarr-përcjellës. Policia shpjegoi se si rezultat i punës së bërë në zbulimin e dokumentimin e ngjarjeve të vjetra nga strukturat e krimeve të rënda është bërë e mundur zbulimi dhe dokumentimi i 11 ngjarjeve të vjetra.