E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitëmarrja, pranga oficerit të antidrogës

Një specialist i antidrogës pranë Drejtorisë së Policisë së Korçës është vënë në pranga nga kolegët e tij të SHKB-së. Burime zyrtare të policisë thanë se oficeri i policisë është arrestuar gjatë një operacioni të strukturave të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Tiranës. Sipas policisë, Dashnor Karanca është arrestuar në orën 14.00 të mesditës së të premtes, pas një denoncimi për marrje ryshfeti. Policia e Korçës ka konfirmuar arrestimin e tij dhe organizimin e operacionit, ndërsa mësohet se ai është vënë në pranga, pasi ka marrë një shumë parash nga të afërmit e një të arrestuari. Sipas burimeve të sigurta të policisë, oficeri me detyrë pranë sektorit të antidrogës, ka marrë një shumë parash prej dy milionë lekësh nga familjarët e një të kapuri me lëndë narkotike për të ndikuar në lirimin e tij. Ndërsa ka premtuar se i riu do të dalë shpejt nga izolimi, duke e konsideruar të pafajshëm, oficeri i policisë mësohet se iu ka kërkuar më parë të afërmve shumën e parave. Bëhet fjalë për një të ri që është arrestuar pak kohë më parë si shpërndarës i lëndëve narkotike në qytetin e Korçës, bashkë me persona të tjerë, por, nga ana e policisë, nuk është bërë publik emri i personit të arrestuar. Nga të njëjtat burime mësohet se specialisti i antidrogës është kapur në kushtet e flagrancës, ndërsa ka marrë në dorëzim edhe paratë. Burimet e policisë kanë deklaruar se oficeri në detyrë po ndiqej prej kohësh, pasi që në momentet e para të arrestimit, kishte kontaktuar me familjarët e të riut korçar, të cilëve iu bënte presion për marrjen e lekëve. Që në orët e mëngjesit, strukturat e SHKB-së nga kryeqyteti kanë vepruar në fshehtësi për të kapur në kushtet e flagrancës oficerin Dashnor Karanca, por vetëm në mesditë ai ka rënë në grackë dhe më pas është prangosur nga kolegët nën akuzën e mitëmarrjes. Ka qenë momenti kur Karanca ka marrë paratë, kur ka ndërhyrë edhe SHKB-ja, në bazë të informacioneve që dispononte për këtë rast. Specialisti i antidrogës është kapur në një lokal të qytetit, ku kishte lënë edhe takimin me të afërmit e të arrestuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›