E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albtelekom oferta të reja për internet

20/12/2008  Drejtori Mustafa Reshit Akdogan: Brenda 2009-s, nëse fitojmë tenderin hyjmë në shkolla

Që nga e hëna kush aplikon fiton modemin, instalimin falas dhe 50% ulje

Vitin tjetër të gjithë do të jenë përdorues të internetit. Ky është qëllimi i kompanisë së vetme të telefonisë fikse në vend Albtelekom. Në prag të festave të fundvitit kompania ka bërë dhuratën e radhës për popullin shqiptar duke sjellë ofertat. Lajmin e mirë e ka dhënë dje në një konferencë për shtyp vetë drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Mustafa Reshit Akdogan. Sipas tij, shërbimi i internetit do të jetë i arritshëm për të gjithë klientët e saj rezidentë dhe biznese nën moton “Vitin që vjen asnjeri pa internet”.

Ofertat

Kompania ka përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën duke investuar në të gjithë vendin. Synimi i vetëm është shërbimi sa më i mirë për të gjithë abonentët. Kjo do të thotë edhe më shumë oferta. “Që nga fillimi, Albtelekom përveç uljes së tarifave të shërbimit internet deri në tre herë, ka shtuar edhe ofertat duke bërë dhuratë për klientët e rinj një modem ose duke ofruar tarifën e instalimit falas”, - theksoi Akdogan. Por sipas tij kjo nuk është oferta e fundit. “Për të qenë sa më afër nevojave të klientëve tanë nga data 22 dhjetor, Albtelekom vjen me një superofertë, modem, instalim falas, si dhe 50% ulje në muaj”, - vijoi drejtori i përgjithshëm i kompanisë.

Interneti në shkolla

Kompania ka marrë pjesë në tenderin e organizuar nga Ministria e Arsimit për shtrirjen e internetit në të gjithë sistemin arsimor të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Në lidhje me këtë, drejtori i përgjithshëm i Albtelekomit theksoi se oferta e paraqitur nga kjo kompani është momentalisht një nga më të mirat. Ndaj kompania është angazhuar që tani për përgatitjen e infrastrukturës së nevojshme. Madje, drejtori Akdogan pohoi se për këtë çështje angazhimi do të jetë maksimal, për instalimin në të gjithë sistemin shkollor për shërbimin e internetit brenda 6-mujorit të dytë të vitit 2009. “Ne jemi në pritje të rezultatit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe shpresojmë që të jemi fitues”, - deklaroi Akdogan. Albtelekom pas privatizimit aplikoi uljen e ndjeshme të tarifave të shërbimit të internetit, të cilat shkojnë deri në 80 për qind më lirë, ndërkohë që është rritur ndjeshëm cilësia e shërbimit të ofruar. Në 3 mujorin e parë të vitit 2009, shërbimi i internetit do të jetë një nga çështjet kyçe në të cilat do të fokusohet kompania, e cila u privatizua prej korrikut të vitit 2007. Në këtë kohë Kuvendi i Shqipërisë miratoi kontratën për blerjen e aksioneve të shoqërisë anonime Albtelekom nga shoqëria turke “Calik”, në vlerën e 120 milionë eurove.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›