E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaskada e Devollit, investimi 1 miliard euro

20/12/2008  Nënshkruhen kontratat mes Ministrisë së Ekonomisë dhe kompanive të huaja

Projekti do të bëjë të mundur prodhimin e 939 gigavat orëve energji në vit

Tre hidrocentrale do të ndërtohen në kaskadën e Devollit. Ato janë marrë me koncesion nga dy kompani njëra austriake dhe tjetra norvegjeze dhe investimi parashikohet të kapë vlerën rreth 1 miliard euro. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, nënshkroi dje kontratat me kompanitë duke i hapur rrugë investimit. Sipas tij, pas vënies në eficiencë të këtyre projekteve do të nisë edhe eksportimi i energjisë jashtë vendit. Ndërkaq, kreu i Qeverisë Sali Berisha i konsideroi projektin për kaskadën e Devollit një ndër më të mëdhatë në historinë e vendit. “Kjo vepër për pozicionin që ka afër me kryeqytetin dhe qytetet e tjera të mëdha të vendit, merr një rëndësi të veçantë dhe shndërrohet në një faktor madhor të stabilitetit të furnizimi me energji, por gjithashtu edhe në një eksportues të rëndësishëm në kohë piku të energjisë”, - nënvizoi Kryeministri. Marrëveshja e koncesionit e formës BOT mes Ministrisë së Ekonomisë dhe kompanive “EVN AG”, Austria dhe “STATKRAFT AS”, Norvegji për ndërtimin e tre hidrocentraleve synon optimizmin e plotë të kaskadës së lumit Devoll. Projekti do të bëjë të mundur prodhimin e 939 gigavat orëve energji në vit, sasi që do të përmirësojë jo vetëm furnizimin e vendit, por do ta shndërrojë Shqipërinë në një eksportues gjatë orëve të pikut. “Në fund të vitit 2008 METE do të numërojë plot 50 kontrata koncesionare në paketën e hidrocentraleve të vegjël të firmosura tashmë me një investim total të angazhuar prej rreth 200 milionë euro dhe me një fuqi të instaluar me rreth 216 MW", tha ministri Ruli. Ai e konsideroi një proces të vështirë arritjen deri në këtë pikë. “Firmosja e një kontrate koncesioni, në të cilën palët marrin angazhime të ndërsjella, edhe pse investimi do të realizohet tërësisht nga investitori privat, nuk është një proces i lehtë. Përkundrazi, do të thoja që është tepër i vështirë. Është dashur pothuajse një vit nga përfundimi i tenderit dhe shpallja e kompanisë EVN si fituese e tenderit për projektin e Devollit, që të negociohej kjo kontratë duke vendosur në balancë interesat kombëtare/publike me ato të investitorit privat”,- ka deklaruar Ruli. Përfundimisht, u arrit vullneti i mirë mes palëve me këtë kontratë koncesioni.

Deklarata

“Me këtë investim prej rreth 1 miliard euro, ky projekt do të mundësojë ndërtimin e tre hidrocentraleve, hidrocentralin Lozhanë-Grabovë me fuqi 173 MW, hidrocentralin Skënderbegas Drizë me fuqi 188 MW dhe hidrocentralin e Banjës me fuqi 28 MW”, tha ministri i Ekonomisë Genc Ruli.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›