Albtelekom, punonjësit grevë urie, nëse Ruli nuk mban premtimet
Autori i Lajmit: Silvana BalliuPunonjësit e Albtelekom-it paralajmërojnë grevë urie nëse ministri i Ekonomisë, Genc Ruli nuk mban premtimin për t i dhënë atyre 12 paga pas privatizimit të kompanisë Albtelecom.
Ata kanë protestuar para ministrisë së Ekonomisë për t i kujtuar edhe njëherë ministrit Ruli se nuk mund të anashkalojë ata që kanë me vite të tëra që punojnë në këtë institucion. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli kishte zhvilluar një takim me përfaqësues të sindikatës së punonjësve të Albtelekom-it në muajin korrik të këtij viti, ku premtoi se do të përfitonin 12 paga dhe aksione nga privatizimi i Albtelekom-it. Punonjësit e Albtelekom presin një përgjigje të fundit nga ministri, Genc Ruli dhe nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre do të futen në greve urie.
Kontrata e shitjes
Sipas kontratës së shitjes së Albtelekom, kompania turke garanton se shkurtimi i punonjësve nuk do të kryhet deri në muajin shkurt të vitit 2008. Aktualisht në shoqërinë Albtelekom janë të punësuar 2260 punonjës, të cilët pas shkurtit të 2008 dalin në rrugë. Për zgjidhjen e kësaj situate, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli ka zhvilluar një takim me përfaqesues të Federatës Sindikale të Postë-Telekomunikacioneve dhe Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.
Përmirësimet e kontratës
Në ndryshim nga kontrata e parë, aksionet e Albtelecom do të zotërohen nga një kompani ku Turk Telecom do të zotërojë të paktën 20% të kapitalit. Për më tepër që një kontratë menaxhimi me Turk Telecom është firmosur për administrimin e Albtelecom. Gjendja financiare e Blerësit në krahasim me 2 vite më parë është më e konsoliduar; kështu CALIK (që është akioneri kryesor i CETEL) ka vendosur për rritjen e kapitalit themeltar për ta bërë atë në përputhje me kërkesat që ishin në tenderin e vitit 2005 si dhe do japë një letër garancie (përveç garancise bankare për pagimin e çmimit) për të garantuar detyrimet që ka CETEL sipas kontratës. Në ndryshim nga kontrata e parë, që parashikonte një pagim me këste për një vit, pagimi i çmimit do të bëhet i menjëhershëm (upfront payment) me bërjen efektive të kontratës. Në përputhje me rekomandimet e raportit të Deloitte, nga kontrata janë hequr një sërë parashikimesh (siç eshte rasti i roaming kombtëar) që kishin riskun ta vendosnin Qeverine Shqiptare në kushtet e shkeljes së marrëveshjes me ËTO (OBT). Në kontratë janë parashikuar penalitete shumë të forta për mosrrespektimin e “business plan”-it të paraqitur nga Blerësi. Për të pasur një kontroll të vazhdueshëm të menaxhimit të kompanive (Albtelecom dhe Eagle Mobile) është vendosur që një përfaqësues i Qeverisë Shqiptare do te emërohet në këshillat mbikëqyrese të këtyre kompanive për 5 vjet, apo derisa shteti shqiptar të ketë të pakten 10% të aksioneve në Albtelecom. Është parashikuar që për 5 vjet, transferimi i aksioneve të Albtelecom apo i aksioneve të kompanive që do të kenë pronësinë e Albtelecom, nuk do të transferohet pa miratimin e Qeverisë Shqiptare. Në të kundërt marrëveshja është e pavlefshme dhe Blerësi paguan një penalitet të lartë.
Ky lajm është publikuar: 28/09/2007