E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditimi i ulët, bizneset në krizë për para

27/05/2009  Konfindustria: Situatë shqetësuese në menaxhimin e sistemit bankar

Biznesi po vuan nga kriza e likuiditetit, ashtu si ekonomia shqiptare. Janë një grup shoqatash të biznesit, të cilat evidentojnë faktin se sipërmarrësit gjenden në vështirësi financiare, për shkak se e kanë të pamundur të marrin kredi nëpër banka.

Situata shqetësuese

Sipas administratorit të përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, gjendja paraqitet më e vështirë në kushtet e zhvillimit të krizës ekonomike globale dhe pasojat e saj në ekonominë shqiptare. “Konfindustria shpreh shqetësimin e saj për kufizimin e tejskajshëm brenda një kohe të shkurtër të masës së kreditimit nga sistemi bankar me pasoja për bizneset cilësore dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Kemi të bëjmë me problematikë shqetësuese në menaxhimin e sistemit bankar shqiptar dhe kryesisht të bankave të nivelit të dytë”, - tha Buxhuku. Të dhënat e industrive anëtare të Konfindustrisë tregojnë se tremujori i parë i vitit 2009 po shfaq dukurinë e mungesave për likuiditet në ekonomi. Sipas Konfindustrisë, analiza historike e masës dhe mënyrës së kreditimit rezulton me një përfundim problematik. “Kalimi i bankave të nivelit të dytë nga skaji i një politike kreditimi të përshpejtuar, me shenja të dukshme mungese profesionalizimi, subjektivizmi dhe korrupsioni, që shkaktoi rritjen e ndjeshme të “kredive të këqija” në masën tërësore të portofolit të kredive me pasoja të rënda për qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe ekonomik të vendit, në skajin e kundërt të kufizimit të plotë të masës së kreditimit edhe për biznese me tregues cilësor, tregon se kemi të bëjmë me çështje mjaft shqetësuese në mënyrën e menaxhimit të deritashëm të sistemit bankar shqiptar”, - tha Buxhuku.

Pasojat

Mbajtja e një niveli të lartë të shpenzimeve publike gjatë vitit financiar në vazhdim nuk ka ndihmuar aspak që kreditimi i ekonomisë nga sektori bankar të rritet. Madje ai është në kufijtë më të ulët historikë, duke ndikuar negativisht në ecurinë e treguesve ekonomike kryesisht në industritë dhe prodhimin vendor. Një prej sektorëve të prekur është edhe ai i ndërtimit. Në ndryshim nga vitet e mëparshme, viti 2008 pasqyroi një rritje të rëndësisë për faktorin “marrëdhënie me bankat”, i cili u rendit si faktori i tretë i rëndësishëm që ka penguar veprimtarinë e firmave ndërtuese. Problemet me klimën politike dhe me infrastrukturën janë vlerësuar në rënie që pas vitit 2006 dhe janë konsideruar me ndikim më të ulët në vitet në vijim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›