E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompania CEZ, formë të re administrimi për OSSH-në

27/05/2009  Menaxhim i përbashkët

Kompania CEZ do të përdorë një formë të re për administrimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Drejtuesit e saj kanë bërë të ditur para pak kohësh se do të ngrenë një grup ekspertësh, të cilët do të vijnë nga Çekia, Bullgaria dhe Polonia. Pritet që ata të bashkëpunojnë me menaxherët shqiptarë për të drejtuar sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Deri më tani nuk është vendosur ende nëse do të ketë ndryshime në staf. Në një dalje të parë, drejtuesit e kompanisë CEZ nuk kanë dhënë ndonjë detaj për shkurtim të numrit të punonjësve teknikë, pas privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Sipas tyre, ky është një moment i parakohshëm për të diskutuar për një çështje të tillë, ashtu si edhe për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët privatë dhe familjarë. Kompania çeke, CEZ, u shpall fituese në tenderin e hapur ndërkombëtar për privatizimin e OSSH-së, duke ofruar një shumë prej 102 milionë euro për 76 për qind të aksioneve. Kontrata e privatizimit parashikon kushtet e vendosura nga të dyja palët. Qeveria dhe investitori strategjik kanë rënë dakord për reduktimin e nivelit të humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve sipas objektivave të qarta. Për vitin 2010, niveli i humbjeve do të ulet me 4 për qind dhe po kaq edhe në vitin 2011. Ndërsa gjatë tre viteve të tjera, humbjet do të pakësohen me 3 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›