E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në rënie aktiviteti i ndërtimit

27/05/2009  Instituti i Statistikave publikon indeksin e kushtimit në ndërtim

BSH: Bie rreth dy herë kontributi i këtij sektori në aktivitetin prodhues

Instituti i Statistikave dhe Banka e Shqipërisë konfirmojnë shifrat në rënie të aktivitetit të ndërtimit. Kjo sa i përket tre muajve të parë të këtij viti. Kështu, sipas INSTAT-it, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim arriti 128.5 për qind, duke shënuar një rënie 0.4 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Edhe pse kjo shifër, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008, ka shënuar një rritje 0.9 për qind, të dhënat flasin për një rënie të çmimeve të grupit të shpenzimeve direkte me 0.5 për qind. “Brenda këtij grupi uljen më të madhe e ka shënuar indeksi i çmimeve të nëngrupit “Shpenzime materiale” me 1.1 për qind. Këtu mund të përmendim uljen e çmimeve të materialeve të ndërtimit me 1.3 për qind”, - thekson raporti i INSTAT-it. Por nga ana tjetër, shpenzimet për paga dhe shpenzime transporti kanë shënuar rritje përkatësisht prej 1.7 për qind dhe 2.9 për qind. Sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, në aktivitetin prodhues, ndërtimi vijon të ketë peshën më të lartë të kontributit megjithëse mesatarisht rreth dy herë më të ulët krahasuar me tre tremujorët e mëparshëm të vitit. “Në sektorin prodhues, shifra e afarizmit në vëllim regjistroi ritmin më të lartë të rritjes vjetore në degën e ndërtimit, rreth 21.1 për qind, krahasuar me aktivitetin industrial rreth 16.9 për qind. Shifra e afarizmit në vëllim për ndërtimin shënoi ritmin më të ulët të rritjes vjetore gjatë këtij tremujori, ndërsa krahasuar me një tremujor më parë, ritmi më i lartë i rritjes (rreth 22.7 për qind) dëshmoi për një përmirësim të këtij treguesi”, - thekson raporti i Bankës së Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›