E Hënë, 2 Nëntor 2026

Albtelekomi, gjykim në mungesë 4 të pandehur

26/01/2005  Katër të akuzuarit e dosjes “Albtelekom” për abuzimet financiare në këtë kompani, do të gjykohen në mungesë. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë dje se, gjatë hetimeve të dosjes, grupi hetimor i ka thirrur disa herë të akuzuarit për të dhënë sqarimet e tyre në organin e hetimit, por ata nuk janë paraqitur. Sipas burimeve zyrtare të akuzës, për shkak të mosparaqitjes së personave të akuzuar, dosja është dërguar në Gjykatë me kërkesën e Prokurorisë për gjykimin e saj në mungesë. Edhe tri ditë më parë, kur Prokuroria i përfundoi hetimet dhe kërkoi paraqitjen e të akuzuarve për t'u njoftuar nisjen e dosjes në Gjykatë, ata nuk janë paraqitur. Dosja penale “Albtelekom” ka në brendësi të saj akuzat ndaj katër ish-zyrtarëve të Albtelekomit. Burimet zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, thanë se Muhamet Kaba, drejtor i degës së INSIG-ut Tiranë, Tonin Troqe, shefi i marrjes në sigurim pranë kësaj dege, Manushaqe Kocaj (agjente ndërmjetëse) dhe Fatmir Dajçi (agjent ndërmjetës), akuzohen për veprën penale të "vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim". Akuza ndaj këtyre shtetasve bazohet në nenet 135 dhe 25 të Kodit Penal dhe, sipas saj, të pandehurit rrezikojnë dënimin deri 10 vjet heqje lirie. Sipas materialeve të Prokurorisë, krerët e INSIG-ut të degës Tiranë, në bashkëpunim edhe me dy agjentët e mësipërm, kanë lidhur kontrata me kompaninë Albtelekom, duke përfituar në mënyrë abuzive nga INSIG-u shumën prej 41.220.381 lekë.

Hetuesit kanë sekuestruar si prova materiale dokumentet e lidhjes se kontratave mes dy kompanive shtetërore. Sipas Prokurorisë, shkelja e detyrës nga dy zyrtarët e INSIG-ut qëndron në faktin se, ata mund t'i kishin lidhur kontratat midis dy kompanive pa pasur nevojë për agjentë ndërmjetës, të cilët janë shpërblyer me para nga arka e INSIG-ut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›