Laskaj: Do verifikojmë pasuritë e padeklaruara të politikanëve
26/01/2005 "Ne do të verifikojmë të gjitha rastet ku ka pasuri dhe llogari bankare, të cilat nuk janë deklaruar nga personat që kanë detyrim ligjor për ta bërë këtë". Ka qenë deklarata e shefes së Institucionit të verifikimit dhe kontrollit të pasurive, Fatmira Laskaj, bërë dje. Ida Vodica, këshilltarja e drejtueses Laskaj, ka pohuar se, ne presim që Zyra për Mbrojtjen e të Drejtave të Qytetarëve të na sjellë një listë me emra të rasteve që dyshohen dhe të nisim kontrollin. Por vijoi më tej Vodica, institucioni ynë nuk ka akses që të bëjë kontrolle në bankat jashtë Shqipërisë. Në deklarimet e deritanishme, thuhet nga Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe verifikimit të pasurive, nuk rezultojnë raste të ministrave apo deputetëve që të kenë llogari në emër të fëmijëve jashtë vendit, e që janë shkruar në deklarata. Burimet saktësojnë se është vetëm një ministër shqiptar që ka bërë deklarim për një llogari në bankë në Shqipëri në emër të tij e të vajzës, si dhe një deputet që ka pohuar për llogari bankare jashtë vendit. Inspektoriati ka shprehur gatishmërinë e bërjes së veprimeve, në rast se sinjalizimi nga zyra e Kreshnik Spahiut shoqërohet me emra përkatës.