E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohen dy gardistët e Presidencës dhe shoferi

26/01/2005  Dy gardistë të Presidentit Moisiu përfundojnë në pranga. Fran Përndoj dhe Arjan Shebeko u arrestuan për shkelje të rënda gjatë kryerjes së shërbimit. Ata do të gjykohen nga togat e zeza ushtarake. Ndërkaq është konstatuar se, rebelët që kaluan postblloqet nuk kishin asnjë qëllim negativ ndaj Alfred Moisiut. Lirohet vajza dhe njëri nga djemtë, ndërsa mbetet i ndaluar shoferi i "Benzit" me targa TR 3055 K, Fatjon Sokoli.

Arrestimet

Incidenti i së hënës mbrëma në Pallatin e Brigadave shënon dy ndëshkime. Një oficer dhe një nënoficer, përgjegjës të shërbimit, kanë përfunduar në pranga për shkelje të rënda. Ata mësohet se kanë konsumuar veprën e parashikuar nga neni 42/1 i Kodit të Procedurës Penale Ushtarake. Burime zyrtare nga Ministria e Rendit Publik, bëjnë të ditur se gardistët e arrestuar janë oficeri Fran Përndoj, 50 vjeç dhe Arjan Shebeko, 32 vjeç, me gradën nënoficer. Sipas grupit hetimor që është marrë me zbardhjen e incidentit, ka rezultuar se mbrojtja e Presidentit ditën e hënë në mbrëmje, ka qenë totalisht jashtë funksionit. Këtë e dëshmon më së miri depërtimi i "Benzit" gri në ambientet e brendshme të pallatit presidencial. Dosja e dy efektivave të Gardës së Republikës do të shqyrtohet fillimisht nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe më pas do t'i kalohet për kompetencë Prokurorisë Ushtarake.

"Vizitorët"

Fatjon Sokoli është i vetmi nga udhëtarët e "Benzit" që arriti të kalonte postblloqet, që vijon të jetë i ndaluar në ambientet policore. Të njëjtat burime nga Ministria e Rendit, saktësojnë se seancat pyetësore me 3 rebelët zgjatën deri në orën 03.00 të mëngjesit të djeshëm. Dëshmitë e tyre dhe hetimet e bluve nuk arritën të hidhnin dritë mbi ndonjë motiv serioz të "lajthitjes". I vetmi shpjegim që ata dhanë, ishte se kishin ngatërruar rrugën nëpër kthinat e shumta të kodrave të Liqenit dhe, papritur e panë veten para derës së Pallatit të Brigadave. Ata nuk dinin se çfarë sqarimi t'i jepnin faktit që kapërcyen pa asnjë mundim postblloqet me ushtarët e Gardës. Sipas rebelëve, askush nuk i kishte nxjerrë përpara tabelën STOP, madje, nuk kishin hasur në asnjë këmbë njeriu. Kësisoj kishin menduar se rruga nga po kalonin ishte ajo që i nxirrte në atë nacionale. Ndaj, ata kishin mbetur të habitur kur panë automjetin të rrethuar nga një mori gardistësh, që u kërkuan të dilnin. Vetëm kur u gjendën jashtë makinës, ata kuptuan se ishin ngatërruar se dhe pa dashje kishin thyer rregullat, duke cënuar mbrojtjen e Presidentit Alfred Moisiu. Grupi hetimor vendosi të mbajë ende për efekt të zbardhjes së ngjarjes Fatjon Sokolin dhe të lërë të lirë vajzën dhe djalin, që u gjetën në makinë me të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›