Italia dhuratë pajisje për luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit
Tiranë – Italia i dhuron Policisë së Shtetit pajisje përgjuese, për Drejtorinë e Krimit Financiar dhe pastrimit të Parave, si dhe 12 transportues për qentë e kufirit. Pajisjet u dorëzuan dje gjatë një ceremonie të organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ceremonia është zhvilluar në kuadrin e Projektit “Forcimi i Kontrollit Kufitar dhe i Drejtësisë Penale në Luftën Kundër Trafiqeve Ilegale dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri”, i realizuar nga UNODC (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin), falë financimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Bashkëpunimit për zhvillim në Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë. Në këtë ceremoni morën pjesë Ministri i Brendshëm, z. Bujar Nishani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Ahmet Prençi, Ambasadori Italian në Tiranë, z. Saba d’Elia, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit.
Në fjalën e tij Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Prençi theksoi se zyra e Kombeve të Bashkuara në Vjenë, nëpërmjet Zyrës së saj në Tiranë, që prej vitit 1998 ka asistuar strukturat e Policisë së Shtetit që merren me luftën kundër krimit të organizuar dhe në mënyrë të veçantë, strukturat e luftës kundër drogës. Kjo asistencë nuk është përqendruar vetëm në strukturat e Policisë së Shtetit, por edhe në shërbimin doganor, me objektiv forcimin e kapaciteteve antidrogë në vendin tonë. “Ne vlerësojmë se vazhdimi i këtij Projekti është mjaft i rëndësishëm dhe përkon me hapat për të forcuar veprimtarinë institucionale kundër krimit të organizuar, të shprehura këto dhe në objektivat dhe programet tona, të cilat konsistojnë në forcimin e kapaciteteve të strukturave të policisë kufitare dhe atyre të drogës në pikat hyrëse, në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit, doganave dhe organit të prokurorisë, në luftë kundër trafiqeve të drogës apo dhe kundër dukurive të tjera të krimit të organizuar; Në rritjen e kapaciteteve dhe të përgjegjësisë të strukturave të Policisë së Shtetit në marrjen, administrimin dhe transmetimin sa më të shpejtë të informacionit policor”, - pohoi Prençi. Ndërkohë që Ministri i Brendshëm, z. Bujar Nishani falënderoi qeverinë italiane për bashkëpunimin si dhe financimin që ka bërë në këtë projekt, i cili pritet të rrisë rezultatet e punës së policisë së shtetit si në Luftën ndaj trafiqeve të paligjshme ashtu edhe ndaj krimit ekonomik financiar. Ambasadori Italianë në Tiranë, z. Saba d’Elia theksoi se Italia përmes kësaj iniciative ka për qëllim të përmirësoj kapacitetet profesionale të policisë shqiptare, në fushën e pastrimit të parave dhe luftës ndaj krimit të organizuar.
29 Korrik 2008