Album për ‘Të Pavdekshmin’

Albumi i kompletuar post-mortum i pop yllit, Michael Jackson, i emërtuar “Immortal” (I Pavdekshmi), do të lëshohet në shitje në muajin nëntor. Pjesë e albumit do të jenë disa përpunime të hiteve të tij më të mëdha, njoftoi të martën shtëpia diskografike Epic Records.
Muzika nga albumi “Immortal” do të shfrytëzohet gjatë performimit të trupës akrobatike kanadeze Cirque du Soleil, në kuadër të turneut “Michael Jackson, The immortal world tour”.
Në këtë turne, që premierën do ta ketë të dielën në Motreal, përveç muzikës së këngëtarit të famshëm do të shfaqet edhe një koreografi dhe efekte vizuale të përkryera.
Jackson, i cili vdiq në qershor 2009 nga pasojat e sulmit në zemër, pas vetes ka lënë shumë materiale muzikore.
Producenti muzikor, Kevin Antunes, ka përpunuar disa nga incizimet që do të gjenden në albumin e ri. Ai shpreson se do të arrijë të “transmetojë trashëgiminë muzikore të Jackson, përmes këngëve të reja në album”, njofton Reuters.