Jeta e re për shkrimtarin Ismail Kadare

Revista letrare ‘Jeta e Re’, në numrin e saj më të ri, do t’i kushtohet tërësisht shkrimtarit të shquar shqiptar Ismail Kadare. Kryeredaktori i revistës, Ag Apolloni, tregoi për Express se numri i ri i revistës del së shpejti dhe do të jetë i mbushur me shkrime nga dhe për Kadarenë. Ai theksoi se redaksia e revistës synon që të paraqesë profilin e plotë të Kadaresë, duke botuar shkrime të tij dhe shkrime për të nga autorë të njohur shqiptarë dhe të huaj, përfshirë këtu edhe një intervistë ekskluzive të realizuar me Kadarenë për lexuesit e revistës ‘Jeta e Re’.
“Sivjet është 75 vjetori i lindjes së Kadaresë, por edhe sikur të mos ishte ky përvjetor, Kadare është një autor që e ka merituar një numër special, aq më shumë kur dihet se numra specialë (tematikë) në këtë revistë vite më parë u janë kushtuar autorëve që jo vetëm se nuk i afrohen Kadaresë, por, për më shumë, disa prej tyre kanë qenë shkrimtarë mesatarë, apo minorë”, u shpreh Apolloni. Kështu që, sipas tij, revista ‘Jeta e Re’ duke nderuar Kadarenë, nderon vetveten. Apolloni shtoi se Kadare është shkrimtar që sa i përket letërsisë shqipe, aq i përket edhe letërsisë botërore.
“Vlera e veprimtarisë letrare të tij tashmë është pranuar botërisht dhe, në planin e receptimit në nivel ndërkombëtar, veprat e tij janë në avantazh ndaj gjithë letërsisë ballkanike. Është turp që deri sot asnjë revistë shqiptare nuk i ka kushtuar një numër të veçantë, kur dihet që në revista prestigjioze evropiane atij i janë bërë paraqitje speciale”, tha Apolloni.
Ky numër përbëhet nga rubrikat e zakonshme të revistës: proza, poezia, drama, intervista dhe kritika. Apolloni theksoi se në të gjitha rubrikat kanë përdorur një kriter selektiv, por gjithsesi janë munduar që ky numër të jetë sa më heterogjen, meqë edhe publiku i revistës nuk është homogjen. Ai tha se dominojnë shkrimet kritike dhe eseistike, por, sipas tij, lexuesit do të gjejnë kënaqësinë e leximit sidomos në fiksionin dhe intervistën e Kadaresë, në të cilën ai flet për lidhjen e tij me letërsinë, për neverinë ndaj shkollës dogmatike, për censurën, për diktaturën, për dashurinë, për mënyrën sesi shkruan dhe për shumëçka tjetër.
Apolloni shpreson se, për dallim nga vitet e mëparshme kur u la të shuhej një revistë me traditë kaq të gjatë, ministria e tashme e kulturës do të jetë më racionale dhe do ta mbështesë këtë revistë, brenda kopertinave të së cilës janë formuar breza shkrimtarësh që përfaqësojnë letërsinë e Kosovës, aq më shumë kur dihet se numri më i ri do t’i kushtohet shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare.
Meqenëse jemi në prag të dhënies së çmimit Nobel për letërsi, Apolloni foli edhe për mundësinë që Kadare ta marrë këtë çmim. Ai tha se Kadare, si përfaqësuesi më i denjë i letërsisë së sotme shqipe, e meriton këtë çmim.
“Nuk mund të profetizoj se a do t’i jepet Kadaresë Nobeli, por mund të konstatoj që atij duhet t’i jepet ky çmim, jo pse ka nevojë ai, por pse vetë letërsisë shqipe i duhet një çmim i tillë dhe Kadare është rasti i parë serioz i kësaj letërsie që konkurron për një çmim me ndikim aq të madh. Natyrisht, e mori apo nuk e mori këtë çmim, Kadare nuk humb asgjë nga madhështia e vet”, tha Apolloni. Ai shtoi se Kadare në histori do të mbetet shkrimtari i parë që e bëri të njohur ndërkombëtarisht letërsinë shqipe dhe tokën shqiptare.