E Shtunë, 31 Tetor 2026

Etje zvicerane

Romani ‘Etje’ i autorit zviceran Beat Portmann u përurua të martën në rezidencën e Katedrales ‘Nëna Tereze’ në Prishtinë.

Në sallën e rezidencës së Katedrales ‘Nëna Tereze’, të martën, u përurua romani ‘Etje’ i shkrimtarit zviceran Beat Portmann. Romani është përkthyer shqip nga Bardhec Berisha dhe është botuar nga edicioni Xenia Luzern-Klinë. I pranishëm në përurim qe edhe Martin Schallebaum, drejtues i edicionit ‘Xenia’.

Duke folur për romanin, Prend Buzhala, poet dhe kritik letrar, tha se romani ‘Etje’ i shkrimtarit të ri zviceran Beat Portmann, është i rëndësishëm, jo vetëm për lexuesin gjermanishtfolës, por edhe për atë shqiptar në veçanti e për atë ballkanas në përgjithësi. “Se si i shikohet emigracioni shqiptar me sytë e një shkrimtari zviceran, këtë na e paraqet vepra ‘Etje’, një roman i ndërliqshëm i tipit kriminalistik, policor, po edhe i ndërthurjeve shumëplanëshe realiste”, tha Buzhala.

Ai shtoi se romani temën e merr nga jeta e emigracionit të popujve të shumtë që vërshojnë Zvicrën dhe, në këtë aspekt, aty ndërthuren edhe intrigat politike, ato të krimit, të larjes së parave, të prostitucionit, të dilerëve të drogës e të të rinjve të droguar, të kriminelëve të luftës, por edhe tema e eliminimit fizik me konotacione të përfitimit personal dhe ku hakmarrja politike merret vetëm si kornizë e realizimit të interesave të tjera.

Ndërkaq, Hajdin Morina, po ashtu kritik letrar, u shpreh se romani ‘Etje’ do të lexohet, do të përjetohet dhe do të debatohet ndër lexues shqiptarë si libër, si tekst i veçantë, për shkak të temës që trajton dhe për shkak të reflektimit të tragjedisë shekullore serbe, nëpër të cilën ka kaluar populli ynë.

“Vepra ka synim që të sfidojë luftën dhe pushtimin dhe të bëhet një himn epik për njeriun dhe lirinë njerëzore”, tha Morina.

Martin Schallebaum, drejtues i edicionit ‘Xenia’, tha se nuk e di asnjë fjalë shqip dhe nuk ka kuptuar asgjë përpos kur u përmend emri i tij dhe emri i autorit.

“Nuk e di a u përmend për mirë apo për keq. Po ndihem njësoj sikur një shqiptar që mund të ndihet në Zvicër. Për këtë është e rëndësishme krijimi i urave të bashkëpunimit kulturor ndërmjet dy popujve, në mënyrë që të njihemi më mirë”, tha ai.

Ndërkaq, Bardhec Berisha, përkthyesi i librit, foli për autorin Portmann dhe tregoi se përpos shkrimtar, ai është edhe artist dhe muzikant dhe po ashtu jep një kontribut të madh në integrimin e shqiptarëve në Zvicër.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›